KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Shqipëria mbështet bashkëpunimin Kinë-EQL
Rama: Shqipëria mbështet bashkëpunimin Kinë-EQL

Rama: Shqipëria mbështet bashkëpunimin Kinë-EQL

Kryeministri Edi Rama, ndodhet në Kinë, në krye të një delegacioni ku po merr pjesë në punimet e Samitit Ekonomik dyditor, Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, i cili po zhvillohet në qytetin Suzhou të Kinës Lindore.
Ky takim është katërti që zhvillohet mes kryetarëve të qeverive të 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kryeministrit të Kinës, Li Keqiang.
Tema e takimit të këtij viti është “Pikënisje e re, sfera të reja, vizion i ri”, nëpërmjet të cilit synohet të promovohet partneriteti i deritanishëm mes vendeve, si dhe të shqyrtohen propozime të reja lidhur me bashkëpunimin në infrastrukturë, ekonomi, bujqësi, investime, shkëmbime tregtare etj. Zhvillimi i këtij samiti pritet të shënojë një moment të ri në zhvillimin e bashkëpunimit Kinë-EQL (Europa Qendrore Lindore).
Duke marrë fjalën, Kryeministri Rama theksoi se takimi i këtij viti konfirmon më së miri vullnetin politik dhe angazhimin e 17 vendeve pjesëmarrëse për të rritur nivelin e bashkëpunimit, në shtyllat kryesore të tij, të përcaktuara si të tilla në takimet e mëparshme.
Duke theksuar se Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj nisme që prej fillimit, Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të angazhohet për të përmirësuar më tej cilësinë dhe efikasitetin e këtij partneriteti.
Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale mes Kinës dhe Shqipërisë, të cilat shënojnë vitin e tyre të 66, kryeministri shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet po forcohen edhe më shumë me projekte të reja. “Në këndvështrimin tonë, qëllimi i kësaj nisme është bashkëpunimi ekonomik dhe vazhdimësia e dialogut politik. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë, në vitin e tyre të 66 janë shumë pozitive për momentin dhe jam i kënaqur të nënvizoj që po forcohen në drejtime të tjera; nisma 16+1 dhe projektet Belt e Road janë dy platforma të tjera që forcojnë marrëdhëniet tona.
Lidhja e qytetit Shantou, ku nis Rruga e Mëndafshit në Kinë, me qytetin e Durrësit, qyteti ynë i dytë më i madh, do të shtrojë rrugën për zhvillimin e portit të Durrësit.”
Kryeministri vlerësoi se Axhenda e aprovuar nga ky Samit do të shërbejë si udhërrëfyes për bashkëpunim të qëndrueshëm në të ardhmen. Kryeministri theksoi se është i nevojshëm identifikimi i perspektivave të reja ndërmjet 16+1, për të përkufizuar më mirë marrëveshjen shumëpalëshe midis Kinës, Europës dhe vendeve qendrore e lindore europiane.
“Axhenda që po aprovojmë do të shërbejë si udhërrëfyes për bashkëpunim të qëndrueshëm në të ardhmen. Duhet të identifikohen perspektiva sinergjike dhe masa të reja ndërmjet 16 + 1 dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe BE-së, midis nismës Belt and Road dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të përkufizuar më mirë marrëveshjen tripalëshe midis Kinës, Europës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.”
Duke u ndalur në disa projekte konkrete, me rëndësi për zhvillimin e gjithë rajonit, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë nxitje zhvillimit të sektorëve me interes të përbashkët në këtë drejtim. “Shqipëria po punon që t’i japë hov turizmit, i cili është një sektor prioritar kombëtar dhe një mjet për të promovuar rritje dhe zhvillim gjithëpërfshirës. Vendi ynë ka ofertë turistike të pasur dhe të shumëllojshme. Në vetvete, turizmi është ngushtësisht i lidhur me infrastrukturën, gjë që është e rëndësishme për zhvillimin e gjithë rajonit. Së bashku me qeverinë e Malit të Zi, si edhe me Bosnie-Hercegovinën dhe Kroacinë, presim me padurimin financimin e Autostradës Adriatike-Ioniane që e quajmë ndryshe “Korridori i Kaltër”.
Kryeministri vlerësoi se rezultatet dhe rekomandimet e Samitit janë një hap domethënës përpara për inkurajimin e një bashkëpunimi sa më të ngushtë e të frytshëm mes vendeve. “Besoj se rezultatet dhe rekomandimet e samitit janë një hap domethënës përpara për realizimin e qëllimeve të nismës dhe besoj se aksionet e ndërmarra dhe të planifikuara inkurajojnë një bashkëpunim më të ngushtë dhe e bëjnë më të lehtë për ne për të punuar së bashku për të mirën e komuniteteve tona.”
(Marrë nga faqja e web-it e kryeministrisë)