KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Shqipëria pjesë e përpjekjeve të NATO-s për më shumë stabilitet e siguri në hapësirën euroatlantike
përpjekjeve të NATO-s për më shumë stabilitet e siguri në hapësirën euroatlantike

Rama : Shqipëria pjesë e përpjekjeve të NATO-s për më shumë stabilitet e siguri në hapësirën euroatlantike

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e të gjitha angazhimeve e detyrimeve të saj buxhetore si anëtare e NATO-s, ndërsa qëndron fort krah Aleancës në përmbushjen e misionit të saj. Zoti Rama i cili po kryeson delegacionin Shqiptar në Samitin e Varshavës, i bëri këto deklarata në sesionin e punës të krerëve të shteteve dhe qeverive. Ai tha se Shqipërisë i është dashur të kalojë nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë derisa u bë pjesë e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë. Zoti Rama kujtoi se gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si NATO dhe Traktati i Varshavës konsideroheshin e keqja, ndërsa sot është një anëtare krenare e Aleancës dhe kjo është arritje madhore e vendit.
Në vlerësimin e kryeministrit shqiptar Ssamiti i Varshavës zhvillohet në një moment kur bota dhe Europa po përballen me sfida serioze të sigurisë. “Sot, ekstremizmi i dhunshëm dhe islami radikal janë kërcënimi më serioz për sigurinë kolektive, ç’ka kërkon ndërveprim dhe bashkërendim të përpjekjeve në nivel lokal dhe global. Ne mbështesim strategjinë e mbrojtjes të Aleancës dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e të gjitha përpjekjeve të NATO-s për më shumë stabilitet e siguri në hapësirën euroatlantike” tha kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai rikonfirmoi mbështetjen e politikës së zgjerimit të NATO-s dhe në këtë drejtim, anëtarësimin e Malit të Zi, e konsideroi gjënë e duhur.