KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Tabloja që unë kam, një Ballkan në paqe dhe i begatë
Rama: Tabloja që unë kam, një Ballkan në paqe dhe i begatë

Rama: Tabloja që unë kam, një Ballkan në paqe dhe i begatë

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në New York, për të marrë pjesë  në punimet e samitit të thirrur nga presidenti amerikan Barak Obama, ka nisur aktivitetin e tij në “World Leadership Forum”, duke marrë pjesë në debatin me temë “Arti dhe politika”. Zoti Rama ka ndarë përvojën e tij si artist dhe politikan. “Unë kam qenë artist, akoma më pëlqen të pikturoj dhe të vizatoj, vetëm se kam më pak kohë. Por edhe në politikë përpiqem gjithnjë të pikturoj me ngjyra, të vizualizoj si e duam vendin që të bëhet, të ndjej si e duam që të ndryshojë në një hap me botën rreth nesh. Me këtë nuk dua të them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, përkundrazi, është mirë që politika të mbledhë njerëz me background-e të ndryshme. Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të na ndihmojnë, ose të na pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje, artisti brenda meje nuk rri asnjëherë i qetë” tha zoti Rama.
Duke hequr një paralele me artin, zoti Rama shpjegoi edhe vizionin e tij për Ballkanin e sotëm dhe të nesërm. “Tabloja që unë kam të një Ballkani të ri, një Ballkan në paqe dhe i begatë, i cili të jetë me siguri një hapësirë që s’ka ekzistuar kurrë më parë, nënkupton dialog të madh që përfshin partnerë origjinalë, ose kundërpalë siç është arti dhe zgjedhjet shumëfishohen, vizioni zgjerohet dhe hapja në korridoret e politikës bëhet më e thellë se kurrë” u tha zoti Rama të pranishmëve.