KRYEFAQJA » LAJME » Rama takim me ekspertë të energjisë: Shqipëria ka bërë progres në këtë fushë
edi-rama

Rama takim me ekspertë të energjisë: Shqipëria ka bërë progres në këtë fushë

Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në tregjet ndërkombëtare enrgjitike, duke rritur sigurinë e tranzitimit të saj dhe duke gjetur burime të reja për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në takimin e 4-ët të vendeve të Euro-Mesdheut, që po mbahet në Tiranë. “Përtej projekteve madhore për të cilat ne kemi përfituar financime nga Samiti i Berlinit, thelbësor është bashkëpunimi rajonal, pasi janë krijuar mundesi të reja për të ecuar para në këtë drejtim, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të rajonit” tha zoti Rama. Sipas tij “Gazesjellësi TAP do të rrisë sasinë e gazit në rajonin tonë duke lejuar që vendet tona të mos varen nga një burim i vetëm gazi”. Kryeministri shqiptar shprehu shpresën se “Tregu i aksioneve energjitike për Shqipërinë do të hapë një kapitull të ri në operacionet e përbashkëta dhe bashkëpunimin rajonal”. “Shqipëria, tha ai, është e lidhur me autostradën energjitike me Malin e Zi, Greqinë dhe Kosovën dhe pritet që vitin e ardhshëm të nisë financimi i linjës me Maqedoninë”.
Damian Gjiknuri, ministër i energjitikës, tha se promovimi i sigurisë energjitike dhe lehtesimi i tranzitimit të saj, do të shoqërohet me rregullime të posaçme ligjore, të cilat do të sjellin furnizim të qëndrueshëm dhe çmime më të mira për konsumatorët.
Takimi i vendeve të Euro-Mesdheut në Tiranë, synon rritjen e shkëmbimit dhe sigurisë së tregjeve të hapura dhe konkuruese ndërkombëtare të energjisë elektrike.