KRYEFAQJA » LAJME » Rama takon trupën e re drejtuese të universiteteve publike: Të jetësojmë reformën në arsimin e lartë
Rama takon trupën e re drejtuese të universiteteve publike: Të jetësojmë reformën në arsimin e lartë

Rama takon trupën e re drejtuese të universiteteve publike: Të jetësojmë reformën në arsimin e lartë

Kryeministri Edi Rama priti të mërkurën në një takim të veçantë, trupën e re drejtuese të universiteteve, rektorë dhe dekanë të zgjedhur pas përfundimit me sukses të procesit të votimit, për këto poste.“Dëshiroj në radhë të parë t’ju uroj të gjithëve për fitoren e zgjedhjeve dhe po ashtu t’ju uroj secilit dhe secilës prej jush që në procesin e vështirë, por shumë motivues dhe të bukur të drejtimit të rektorateve, të dekanateve, të departamenteve, ju të përmbushni pritshmëritë e të gjithë atyre që ju besuan votën e tyre” ju drejtua të pranishmëve zoti Rama.
Ai e cilësoi fushatën për zgjedhjet në universitet publike pozitive dhe larg ndikimeve partiake.“Dua t’ju përgëzoj po ashtu për faktin që i dhatë një ton pozitiv një fushate që këtë herë, besoj edhe për shkak se ne vendosmërisht qëndruam të pa përfshirë në proces dhe bëmë çmos për të mbajtur larg çdo ndikim partiak apo politik mbi procesin, – u karakterizua nga një pozitivitet përgjithësisht” tha kryeministri.
Në mënyrë të veçantë, zoti Rama përgëzoi për atë që ai e quajti qëndrimin dinjitoz i mbajtur nga dy prej pjesëtarëve të kësaj trupe drejtuese, të cilët tha ai nuk ranë pre e presioneve kriminale. “Më vjen shumë mirë po ashtu që ankimimet nga ana e kandidatëve për veprimtari të paligjshme të kandidatëve të tjerë, përjashto incidentin famëkeq, faktikisht kanë qenë zero. Më lejoni që duke përmendur incidentin famëkeq t’i shpreh respekt, qoftë rektorit të sapo zgjedhur, qoftë dekanit. Të dyve që nuk u tërhoqën përballë një presioni kriminal tërësisht të papranueshëm, jo për botën universitare, por për jetën shoqërore në tërësi” tha ai. Sipas zotit Rama ata “dhanë një mesazh shumë kuptimplotë me vendosmërinë e tyre për të vazhduar qetësisht një garë”.
Duke ju referuar bashkëpunimit për të ardhmen, zoti Rama u tha të zgjedhurve në universitetet publike ta “…konsiderojnë qeverinë, Ministrinë e Arsimit, zyrën e Kryeministrit një partner të ngushtë, strategjik, në një rrugë ku vendimmarrja është e juaja në gjithë sferën e autonomisë universitare, por ku nga bashkëpunimi i frytshëm midis nesh, besoj unë varet niveli dhe cilësia në të cilën ju do ta ngrini departamentin, fakultetin apo rektoratin që drejtoni.”
Kryeministri Rama siguroi të drejtuesit se cilësia e bashkëpunimit mes tyre dhe qeverisë, nuk varet aspak nga preferenca politike e të zgjedhurve, por bazohet tërësisht në interesat e përbashkëta për arsimin. “Këtu ka rektorë, dekanë shefa, shefe që nuk kanë votuar ndonjëherë për mua dhe nuk kanë për të votuar ndonjëherë për mua. Jo se i di të gjithë se kush janë, por disa i di. Ashtu sikundër ka edhe të tjerë që kanë votuar dhe do votojnë prapë për mua. Por të jeni të sigurtë që ky nuk është kriteri mbi të cilin të vendoset cilësia e bashkëpunimit tonë. Absolutisht jo!” tha ai. Kryeministri theksoi se qeveria e tij do të ofrojë kurdoherë mbështetje. Ndërsa e vlerësoi historike punën e bërë për reformën në arsimin e lartë Kryeministri theksoi se sfida e përbashkët mbetet jetësimi i reformës. “Faktikisht kemi bërë një punë mendoj unë që është historike për arsimin e lartë. Tani sfida është ta jetësojmë. Sfida është që universiteti publik të mos jetë lehtësisht i konkurrueshëm e për më tepër mos mbetet mbrapa universiteteve jopublike” tha ai.

(Sipas faqes web të kryeministrisë)