KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Të dialogojmë me Serbinë, të mos ja lidhim këmbët vetes me litarin e të shkuarës
Rama paralajmëron Greqinë: Koha e fqinjit të pasur që i tregonte arat fqinjit të varfër ka marrë fund mes nesh!

Rama: Të dialogojmë me Serbinë, të mos ja lidhim këmbët vetes me litarin e të shkuarës

Vizita në Beograd ka qenë në qendër të vemendjes të “Komunikimi i Javës” të kryeministrit Edi Rama me bashkëqytetarët e tij. Zoti Rama është ndalur në atë që e quajti politika e dalogut me Serbinë. “Me këtë bindje të patundur, tek kjo ide fituese dhe për ta çuar atë përpara jemi angazhuar me një politikë të re ndaj Serbisë, një politikë dialogu, ku ajo çfarë na ndan prerazi, qëndrimi diametralisht i kundërt ndaj pavarësisë së Kosovës nuk na pengon të komunikojmë për atë që na bashkon rruga e përbashkët e integrimit europian dhe interesat reciproke për fuqizmin ekonomisë” tha zoti Rama. Kryeministri shqiptar tha se alternativat me Serbinë janë dy. “Ose të rrimë të ndarë me serbët, me kurrizin e kthyer nga njëri-tjetri edhe pse jemi popuj fqinj  dhe faktikisht dy popuj më të mëdhenj në rajon dhe të përballemi veç e veç  më vështirësi të mëdha për shkak të tregjeve të vogla që kemi, ose të kthehemi me fytyrë nga njëri tjetri  dhe duke u nisur nga interesi, interesi ynë shumë i fortë në radhë të parë për të rritur ekonominë tonë, për të fuqizuar shoqërinë tonë përmes mirëqeniës  të komunikojmë me ta hapur dhe pakomplekse dhe ti përballim vështirësite e   zhvillimit ekonomik e social sëbashku”. Për zotin Rama “Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia nuk mund të sakrifikohen sot në një luftë imagjinare ballkanike e cila zhvillohet përmes retorikës kundër armiqëve të deridjeshëm, brenda mureve të shtëpisë tonë dhe përdoret si armë kundër njëri tjetrit, në një arenë politike krejt të brendshme të shqiptarëve”. “Ne, tha ai, kemi humbur aq shumë shekuj, dekada dhe vite, sa tani më s’mund humbim asnjë ditë duke luajtur luftash dhe duke bërë në vend numëro, sepse ne kemi ardhur deri këtu falë një angazhimi aq të madh të miqëve dhe partnerëve të mëdhenj, sa tani nuk mund të sillemi si të vegjël duke i harruar detyrimet tona të mëdha karshi botës mbarë dhe karshi fëmijëve tanë”. Për kryeministrin shqiptar Shqipëria dhe Kosova, janë “…dy shtete shqiptarë, por një popull të vetëm që kërkon dhe meriton  të ushqehet me frytet e të ardhmes europiane, jo me plagët e të shkuarës ballkanike. Ne shqiptarët nuk e ndërtojmë dot të ardhmen pa kapërcyer dhe fshirë kufijtë e të shkuarës. Kufijtë e të shkuarës mes nesh dhe Europës, mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe po ashtu mes shqiptarëve dhe serbëve. Në të njëjtën kohë në të trejat drejtimet, e ardhmja është në duart tona. Le të mos ja lidhim këmbët vetes me litarin e të shkuarës”.