KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Ne duam marrëdhënie të shkëlqyera dhe TE BARABARTA me Greqinë!
Rama të martën në mbrëmje në "Skai"

Rama: Ne duam marrëdhënie të shkëlqyera dhe TE BARABARTA me Greqinë!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur t’i drejtohet popullit grek përmes mediave të vendit fqinj. Të martën në mbrëmje ai do të jetë personazhi kryesor i emisionit “Histori”, që përbëhet nga disa gazetarë të njohur të shtypit grek, raporton Respublica. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë zoti Rama në Fejsbuk  rreth orës 15.00. “Sonte pak pas orës 22.00 në televizionin grek Skai me gazetarin e njohur Alexis Papahelas. Facebook Live (shpresoj me përkthim shqip?)” shkruan ai. Intervista me kryeministrin shqiptar ka disa ditë që lajmërohet në televizioni “Skai”, ku Rama do të flasë për çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ato nisin ligji luftës mes dy vendve, marrëveshja e detit, çështja çame e deri tek arrestimi i dy nëpunësve të ministrisë së Jashtme shqiptare që transportonin tekste shkollore, të cilat Gjykata e Janinës i çmoi si materiale propagandistike.

Nga ana e tij duke ju përgjigjur shqetësimit të bashkëatdhetarëve për tematikën e bisedës, zoti Rama shkruan se do të flasi “…për të vërtetat që nuk ka asnjë arsye të prishin punë, përkundrazi janë burimi më i pastër i energjisë së një marrëdhënieje, edhe mes shtetesh fqinj! Ne duam marrëdhënie të shkëlqyera dhe TE BARABARTA me Greqinë, në emër të së shkuarës e të së ardhmes që na lidh si dy popuj fqinjë e partnerë në zemër të Europës” shprehet zoti Rama.

Deklaratat e kryeministrit shqiptar muajt e fundit kanë zënë faqet e para të shtypit grek që nuk kanë hezituar ta cilësojnë zotin Rama si një politikan nacionalist që po mban një kurs tensioni dhe përplasjeje me Greqinë.