KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Të ndërtojmë një sistem arsimor që formon individë të përgjegjshëm në një shoqëri
Rama : Të ndërtojmë një sistem arsimor që formon individë të përgjegjshëm në një shoqëri

Rama : Të ndërtojmë një sistem arsimor që formon individë të përgjegjshëm në një shoqëri

Kryeministri socialist Edi Rama shprehu shqetësimin e tij për fenomenin e kulturës së kriminalizimit që sipas tij është përhapur në Shqipëri. Gjatë pritjes së dhënë me rastin e vitit të ri për punonjës të dalluar të arsimit, ai bëri përgjegjëse politikën që sipas tij e ka krijuar këtë fenomen prej shumë kohësh. “Është një sëmundje e përhapur ngado, që i merr energji të pafundme organizmit të shoqërisë sonë, e cila duket sikur ka mbetur pa sistem imunitar, pa sens kritik dhe vetëkritik, ndërkohë që sensi kritik ia ka lënë vendin kundërshtimit histerik, ndërsa ai vetë kritik është zëvendësuar nga vetëmbrojtja instiktive”. Sipas zotit Rama kjo “…ndodh kudo ku ka një komunitet, kudo ku ka një bashkësi njerëzish, kudo ku ka dy shqiptarë që i bëjnë rrethanat bashkë, por që mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri”.
Kryeministri socialist e kokretizoi shqetësimin e tij me debatin për reformën në arsim. “Ne kaluam në Kuvend një reformë shumë të thellë, në këndvështrimin tim, historike të arsimit të lartë, me një proces që, pa bërë asnjë ekzagjerim, ishte shembullor. Konsultime, dialog, analiza, ekspertizë, ndërveprim për më shumë se një vit rresht. Megjithatë, ajo çka u shfaq ishte e njëjta gjë, sëmundja për të cilën po flas, një epilog konfliktual, me një proces kriminalizimi të reformës që e përshkroi të gjithë epilogun; gënjeshtra, shpifje, akuza, falsifikime të hatashme të thelbit të kundërshtisë” tha ai.​
Zoti Rama bëri të qartë se “Unë nuk e kam me kundërshtinë, por e kam me mungesën e cilësisë së saj dhe nuk e kam me thjesht dhe vetëm politikën, por e kam me faktin që sëmundja që lindi nga politika dhe që preku politikën, sot i ka prekur të gjithë. Ka prekur çdo hapësirë ku ka mundësi për një debat dhe po asgjëson aftësitë tona për të bërë debat”.
“Në vend të debatit, ne bëjmë luftë dhe lufta nuk i ngjan asnjë forme konvencionale të luftës ku ka disa rregulla, ku ka disa mjete dhe ku ka sjellje të përcaktuara, edhe pse njerëzit në luftë vrasin njëri-tjetrin. Ne nuk vrasim njëri-tjetrin, por ne vrasim shpresën, ne vrasim përpjekjet për të përçuar ide që mund të jenë krejt të ndryshme, mund të jenë krejt të kundërta, mund të jenë edhe krejt të çmendura, por që në një shoqëri të shëndetshme respektohen si shprehje e domosdoshmërisë për të respektuar tjetrin, të ndryshmin, respektohen si shprehje e vetëdijes së shoqërisë për të ruajtur dhe zhvilluar burimet e veta të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve” tha më tej zoti Rama.
“Ajo që ne po humbasim dhe që unë besoj se duhet ndarë me ju, pasi ju keni një përgjegjësi më të madhe, sesa ajo që është e përshkruar në gjithë përshkrimin e punës suaj, që ka të bëjë pikërisht me edukimin e fëmijëve si individë dhe si qytetarë” tha ai.
Kryeministri shprehu shqetësimin pasi sipas tij “…ne jemi të gjithë të kërcënuar nga histeria kundërshtuese që zëvendëson objektin e diskutimit me përplasjen mes individëve, që zëvendëson dialektikën e ballafaqimit me nevojën për të asgjësuar jo mesazhin, por mesazherin, jo atë që thuhet, por personin që e thotë”.
Duke u ndal në reformënnë arsim zoti Rama tha se “Dy vjet më parë, sistemi arsimor ishte i tëri i kapur dhe në kushtet e një kolapsi financiar. Sot është larg së qenit sistemi arsimor që unë ëndërroj si një ëndërr të mundur”. Ai shprehu keqardhjen që sistemi i deritanishëm ” ka prodhuar jo pak, por 177 mijë nxënës me dije të deformuara. Efekti zinxhir i korrupsionit që i solli në sistem, duke lënë jashtë sistemit mësues dhe mësuese si dy zonjat që folën pak më parë, preku 177 mijë nxënës. Ashtu sikundër, mijëra e mijëra të tjerë u prekën seriozisht nga 18 universitete private dhe një universitet publik, plus një sërë degësh në universitetin publik jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe cilësor”.
“Për të bërë shkollën që ne duam, shkollën që t’iu ngjajë të gjithëve ju që jeni këtu, do të duhet ende kohë, por është e sigurt se një nga betejat më të rëndësishme dhe armiku më i rrezikshëm që ne kemi si shoqëri në gjithë këtë proces është tulatja e çdo shqise për të bërë një debat të shëndetshëm dhe largimi i përditshëm nga një parim themelor i bashkëjetesës, respekti për tjetrin” tha zoti Rama.
“Për këtë arsye, roli juaj është i jashtëzakonshëm dhe është historik në këtë fazë, për të mos lejuar që ajo çka ndodh përditë të prekë dhe të cenojë vizionin dhe kuptimin e fëmijëve dhe të nxënësve për botën ku jetojmë, për shoqërinë që kemi zgjedhur të ndërtojmë, për realitetin që duam të transformojmë. Për të mos lejuar që ndasia e madhe që krijon jo mes ideve dhe alternativave, por mes njerëzve, kjo sëmundje, të trashëgohet, sepse kjo do të ishte fatale për zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor, ekonomik të këtij vendi’ u bëri thirrje mësuesve dhe pedagogëve shqiptare kryeministri Rama.
“Sëbashku duhet të bëjmë çmos që të ndërtojmë prita, pengesa e mure, për të mos lejuar që sëmundja për të cilën fola të prekë më të vegjlit” tha ai. “Unë kam një eksperiencë modeste, por 10-vjeçare si pedagog dhe e di që është shumë e vështirë që mësuesi të pranojë të sfidohet nga nxënësi. Por vetëm duke i dhënë mundësi nxënësit të na sfidojë, ne i krijojmë atij kushtet që të bëhet një individ i guximshëm dhe duke e sfiduar atë, ne e ndihmojmë që të bëhet një qytetar i mirë” tha në përfundim zoti Rama.