KRYEFAQJA » LAJME » Rama thirrje opozitës: Lironi Vettingun, është detyrim patriotik!
Rama thirrje opozitës: Lironi Vettingu, është detyrim patriotik!

Rama thirrje opozitës: Lironi Vettingun, është detyrim patriotik!

Vetëm pak orë pas kthimit nga takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin, kryeministri socialist Edi Rama u ka drejtuar një thirrje anëtarëve dhe përkrahësve të opozitës, që t’u bëjnë presion udhëheqësve të tyre të heqin dorë nga bllokimi i Ligjit të Vettingut, hyrja në fuqi e të cilit është kusht i vetëm i ndërkombëtarëve për të çelur bisedimet mes BE dhe Shqipërisë.
Zoti Rama i ka bërë deklaratat e tij gjatë një aktiviteti në përkujtim të 29 nëntorit 1944, e cila zyrtarisht është dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. “Sot më 29 Nëntor unë dua ti bëj thirrje të ushtrojnë presion mbi lidershipin dhe ata deputetë të opozitës që janë pjesë e zgjedhjes për ta ngritur atë mur, që ta heqin atë mur që i kanë vënë Shqipërisë përpara, duke bllokuar plotësimin e kushtit të vetëm për hapjen e negociatave zbatimin e ligjit të vettingut” tha zoti Rama solemnisht.
Sipas kreut të qeverisë qëndrimi i opozitës është i papranueshëm “…sepse nuk është kundër nesh, por është kundër Shqipërisë e të ardhmes. Në këtë ligj që garanton spastrimin e pallatit të drejtësisë nga të korruptuarit Shqipëria duhet të jetë një, e bashkuar, shqiptarët duhet të bëhen bashkë, socialistë e demokratë, gegë, toskë e çamë, pa dallim feje e krahine” shtoi më tej kreu i qeverisë.
Ndërsa duke e cilësuar zbatimin e ligjit të Vettingut si detyrim patriotik ai tha : “Nëse për një grush njerëzish të mbledhur nën strehën e selisë së PD-së, është e pamundur ti bashkohen Shqipërisë për ta shembur murin pas të cilit fshihen pengmarrësit e korruptuar të sistemit të drejtësisë, kjo është jo vetëm e mundur, por dhe detyrim patriotik për çdo deputet apo zgjedhës i asaj partie që nuk ka pse i friket një drejtësie të re të drejtë e të barabartë për të gjithë”.