KRYEFAQJA » LAJME » Rama thotë se ligji i mbetjeve është i domosdoshëm, por ambientalistët duan referendum
Asambleja e PS Rama : Ligji i mbetjeve i domosdoshëm

Rama thotë se ligji i mbetjeve është i domosdoshëm, por ambientalistët duan referendum

Ndërsa ambientalistët dhe përkrahësit e tyre protestonin para selisë së qeverisë kundër ligjit të mbetjeve, Asambleja Kombëtare e PS ishte mbledhur në një lokal në periferi të Tiranës. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i partisë socialiste, bëri një inventar të 3 viteve qeverisje, duke u ndaluar në fund të fjalimit të tij edhe tek ligji i shumë debatuar i mbetjeve. Zoti Rama i mbeti qëndrimit të tij të mëparshëm se miratimi i këtij ligji ishte i domosdoshëm, ndërkohë që theksoi se ky është ligji më i kufizuar në rajon. “Ligji i ri për mbjetjet riciklueshme është i domosdoshjmës dhe tërësisht konformon ambicieve tona për një Shqipëri të pastër. Ajo që ne kemi bërë është ligji më i kufizuar në rajon deri në pikën të kufizosh importin e lëndës së parë me pasjen e një fabrike dhe kapacitetin e saj” tha zoti Rama. Ndërsa folës të ndryshëm para selisë së qeverisë shprehnin kundërshtimin e tyre për ligjin e importit të mbetjeve, eksponentë të PS të investuar në përkrahje të këtij ligji, ftuan ambientalistët të bisedonin lidhur me amendimin e ligjit. Por ambientalistët këmbëngulin. “Referendumi është e drejta jonë që nuk mohohet. Kjo e drejtë e jonë nuk mund të mohohet. Riciklimi duhet të nisë me mbetjet tona. Nuk mund të vazhdojmë të varrosim mbetjet tona” tha një prej protestuesve. Ambientalistët dhe shoqëria civile i bënë thirrje presidentit Nishani të mos e dekretojë ligjin e mbetjeve dhe këmbëngulin në mbajtjen e një referendumi.