KRYEFAQJA » LAJME » Rama, vazhdojnë legalizimet falas në Elbasan 
legalizimet falas elbasan, rama, zhvillim ekonomik, kryetari bashkise elbasanit

Rama, vazhdojnë legalizimet falas në Elbasan 

Çertifikata e Pronësisë është për Kryeministrin Edi Rama, themelore për zhvillimin e pronës dhe kthimin e saj në vlerë ekonomike për poseduesit. Gjatë dhënies së çertifikateve të pronësisë në Bradashesh të Elbasanit, Rama tha se ky proces është jetik, për konkretizimin e nismave të tjera të qeverisë, sikundër është investimi në sistemin e vaditjes, rritjes së sipërfaqes së tokës së bukës dhe mbështetjes së fermerëve përmes përfitimit të kredive me interesa të favorshme në bankat e nivelit të dytë.

Kryeministri evidenton shërbimet falas për procesin e legalizimit, dhe procedurat lehtësuese që kanë rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Sipas shefit të qeverisë, procesi më parë është vonuar jo vetëm nga mungesa e vullnetit të qeverive të mëparshme por edhe nga burokracitë.

Kryeministri tha se procesi i legalizimeve në Elbasan po ecën me ritme të pëlqyeshme. Sipas tij, çertifikatat e para , i hapin rrugë një procesi që kryetari i Bashkisë në Elbasan është zotuar ta përmbylle për të gjithë fermerët e zonës, brenda një viti.