KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Vezët e PD thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit
Rama: Vezët e PD thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit

Rama: Vezët e PD thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit

Kryeministri socialist Edi Rama ka zgjedhur Fejsbukun për të reaguar jo vetë me ironi, por edhe shqetësim ndaj opozitës së djathtë e cila të enjten në senacë parlamentare përdori dhe goditjet me vezë ndaj anëtarëve të qeverisë. “Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë” nis reagimin e tij të gjatë zoti Rama . “I kanë shterruar idetë dhe arsyeja. I kanë shterruar energjitë dhe durimi. I ka shterruar fuqia për të imagjinuar, pa të cilën jeta është një lëngatë e pafundme” shkruan më tej zoti Rama. Sipas tij sjellja e opozitës është “një degradim që ka ardhur hap pas hapi, pa ndalim, dy vjet e kusur me radhë. Një parti që ka dy vjet e kusur që jep e merr me hijet dhe me objektet”. “Në çdo tre aktivitete, dy janë përkujtimore të sajuara për t’u kacafytur me hijen e Enver Hoxhës. Liria, të drejtat, demokracia, janë të gjitha sebepe; motivi është lufta qorre me një hije të qëmotit e cila vazhdon ta hipnotizojë Partinë Demokratike, duke i kushtëzuar axhendën” përshkruan aktivitetin e opozitës kreu i maxhorancës. “Në çdo tre konferenca shtypi, dy janë kacafytje me libër shtëpie me hijen e pushtetit. Korrupsioni, krimi, parku, shëndetësia, Dia, papunësia, çatia e kryeministrisë, Siria, janë garnitura të rastit; motivi është lufta qorrazi me protagonistët e shumicës qeverisëse, si persona që lypset të përbalten, papushim, deri në fund, me çdo mjet” shton më tej ai. Sipas zoti Rama opozitarizmi i Partisë Demokratike është “një zvarritje në dëshpërim. Ku vezët janë thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit”.