KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama viziton Rafinerinë e Naftës në Ballsh
Rama viziton Rafinerinë e Naftës në Ballsh

Rama viziton Rafinerinë e Naftës në Ballsh

Pas një vit ndërprerjeje, Rafineria e Naftës në Ballsh, e njohur dikur si Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, ka rinisur punën. Ajo vlerësohet nga qeveria shqiptare si një aset strategjik. Rivendosja e saj në punë, përbën një lajm të mirë për ekonominë kombëtare në përgjithësi, por edhe për zonën në veçanti.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri Damian Gjiknuri ishin për një vizitë për tu njohur nga afër me këtë impiant. Zoti Gjiknuri pranoi se “Një nga sfidat që kishim si qeveri ishte rivënia në punë e përpunimit të naftës në vend, për arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha për punësimin e njerëzve dhe për ta mbajtur këtë aset strategjik që edhe Shqipëria, si shumë vende të tjera që kanë naftë, të ketë mundësi ta përpunojë atë”. Pas rivënies në punë, uzina ka rinisur prodhimin e eurodieselit të standardit europian, benzinë super dhe derivate të tjera të naftës shqiptare.
Rifillimi i punës së Rafinerisë së Naftës në Ballsh ka sjellë ndryshim të jetës së banorëve të zonës dhe rigjallërim të bizneseve. Kryeministri Rama tha se me investitorët është këmbëngulur që të paguhen rrogat e prapambetura për punonjësit, ndërsa kujtoi se veç qëllimit kryesor, atij të përpunimit të naftës, rafineria duhet të përdoret edhe për t’i dhënë një tjetër zonës së Mallakastrës. “Rafineria gjeneron edhe avull në sasi të tilla që mund të furnizojë, sipas drejtuesve të saj, të gjitha serrat e Mallakastrës. Sasia është kolosale. Kjo është një vlerë të shtuar në mbështetje të bujqësisë për të gjithë zonën e Mallakastrës. Ne duhet ta synojmë këtë, të arrijmë sasinë e avullit që të furnizojmë gjithë serrat e Mallakastrës dhe t’i japim një bum gjithë zonës nga pikëpamja bujqësore” tha kryeministri Rama.