KRYEFAQJA » LAJME » Rama zgjedh Ylli Manjanin si ministër drejtësie
Rama zgjedh Ylli Manjanin si ministër i ri drejtësie

Rama zgjedh Ylli Manjanin si ministër drejtësie

Kryeministri Edi Rama ka pranuar të hënën dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, zotit Nasip Naço, njoftoi zyra e shtypit e kryeministrit. Sipas njoftimit zoti Rama e ka falenderuar zotin Naço për kontributin e dhënë në ekipin qeverisës.
Ndërkaq zoti Rama ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Ilir Meta, ku kanë vlerësuar punën e ministrit Naço dhe kanë diskutuar për zëvendësimin e tij.
Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, Kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit, njofton zyra e shtypit e kryeministrit.
Zoti Rama e ka falenderuar Ylli Manjanin për gatishmërinë për të kryer me përgjegjshmëri dhe efikasitet detyrën e lartë dhe ka firmosur propozimin për Presidentin e Republikës që të dekretojë emërimin e tij në krye të dikasterit të drejtësisë.
Zoti Manjani me profesion jurist, është aktualisht zëvendësminister i trasportit dhe infrastrukturës publike. Ai është një nga figurat e njohura të LSI, një prej pesë përfaqësuesve të saj të lartë në koalicionin qeveritar.