KRYEFAQJA » LAJME » Rama,Veliaj dhe Kumbaro inspektuan punimet për çmontimin e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”

Rama,Veliaj dhe Kumbaro inspektuan punimet për çmontimin e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”

Ndeshjet eliminatore për kampionatin e ardhshëm europian kombëtarja jonë e futbollit do ketë mundësi t’i luajë në një shtëpi të re. Ndërkohë që prej disa javësh ka nisur puna për ndërtimin e “Arenës Kombëtare”, kryeministri Edi Rama, ka inspektuar punimet për çmontimin e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”. Kreu i qeverisë e cilësoi projektin e stadiumit të ri si një nga veprat më të mira dhe moderne që do të ketë Shqipëria.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vuri në dukje se deri më tani punimet kanë ecuri me ritme të larta, duke theksuar rëndësinë që i është dhënë zhvillimit të sportit në vendin tonë.

Ne kemi avancuar jashtëzakonisht me procesin e çmontimit, 70 % është kryer, besoj se brenda javës përfundon ky proçes. Është ndoshta mënyra më e mirë për të pritur Kombëtaren kur të kthehet me përgatitjet për projektin e ri. Besoj se jo vetëm 24 muaj, por ndoshta edhe më shpejt, do të kemi mundësi që të kemi një fushë komplet të re, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Përveçse ka një tempull të futbollit, që besoj vjen në momentin më të mirë, qyteti do përfitojë 4 sheshe publike, që momentalisht nuk i ka, në secilën prej anëve, veri-jug-lindje-perëndim, që do të jenë për përdorim publik gjatë gjithë ditëve që nuk ka ndeshje. Jemi sot në një proces vendim-marrje, ku si parkingu përpara, si parkingu mbrapa, kthehen në 2 parkingje nëntokësore”, shtoi Veliaj.

Ministrja Kumbaro, nga ana e saj, bëri të ditur se projekti ruan dhe respekton historinë kulturore dhe sportive të stadiumit “Qemal Stafa”, pasi ruan pjesën e fasadës, e cila integrohet në projektin e ri.

Jemi përballë fasadës në të cilën kemi pikërisht pjesën e konsideruar si monument kulture nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Kemi bashkëpunuar me studion e arkitektëve të cilëve iu është bashkuar ekspertiza e Palazzo Spinelli-t. E reja është që në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është”, tha Kumbaro.

Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 spektatorësh, Stadiumi do të jetë i kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 24 muajsh. Arena Kombëtare do të ruajë pjesën ballore të stadiumit ekzistues, e cila është shpallur Monument Kulture.