KRYEFAQJA » LAJME » Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi zvarritet nga shtyrja e liberalizimit të vizave

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi zvarritet nga shtyrja e liberalizimit të vizave

Koalicioni qeverisës vazhdon të mos e procedojë në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. Paralajmërimet e fundit nga Brukseli se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të zbatohet gjatë vjeshtës duket se i ka dhënë më shumë komoditet qeverisë që këtë çështje të mos e fusë ende në procedurë. Koha shtesë, sipas analistëve politik, do t’i nevojitet koalicionit që të provojë të hap dialogun me opozitën, e cila është vënë ashpër në kundërshtim të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, duke kërkuar rinegociimin e saj. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, thotë se paraprakisht do të duhej të kishte një konsensus të gjerë politik, pasi që bëhet fjalë për tërësinë territoriale të Kosovës. “Të shpresojmë që do të kemi një vendimmarrje të shpejtë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që përfundimisht lëvizja e lirë e qytetarëve tanë të jetë ajo e cila duhet të jetë sikurse në gjithë rajonin”, ka deklaruar Veseli.“Të njëjtën kohë do të procedojmë edhe në bazë të interesave të vendit tonë dhe në çështjen e demarkacionit. Çka është më kryesore duhet të kemi konsensusin e përbashkët që për vendimet të cilat janë të mëdha dhe që kanë të bëjnë me tërësinë territoriale të kemi edhe konsensusin e përbashkët”, ka thënë Veseli. Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë si të dëmshme, që si pasojë sjell humbjen e mbi 8 mijë hektarëve tokë të Kosovës. Krahas opozitës është edhe një numër i caktuar i deputetëve nga partitë në pushtet që nuk e mbështesin marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshje kërkon minimumin prej 80 votave të deputetëve apo dy të tretat e deputetëve. Ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit është përmendur nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian si kusht para se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së të miratojnë zbatimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian.