KRYEFAQJA » LAJME » Reagimi i Panaritit pas situatës së ndotjes së bregdetit
Reagimi I Panaritit pas situatës së Ndotjes së Bregdetit

Reagimi i Panaritit pas situatës së ndotjes së bregdetit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, urdhëroi dje pezullimin e aktivitetit të peshkimit pas ndotjes masive të 2.5 kilometrave vijë bregdetare në qytetin e Durrësit. Sipas këtij urdhri deri në përfundim të analizave nuk do të lejohet peshkimi në zonën e ndotur. Ministri Panariti gjithashtu ka urdhëruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) të analizojë mostrat e peshqve dhe molusqeve për të mos pasur ndikim ndotja edhe në popullatë. “Urdhërova pezullimin e peshkimit në një sipërfaqe prej 5 kilometrash vijë bregdetare. Mund të ketë masa të ndryshme për kufizimin e vendit të ndotjes. Mund të vendosen copa sfungjeri për heqjen e naftës. Duhet parë me kujdes edhe për përdorimin e ndonjë tretësi organik për të zbërthyer naftën. Jam i sigurt që organet përkatëse të Ministrisë së Mjedisit po i shikojnë të gjitha këto opsione. Kryesorja të identifikohet burimi i ndotjes dhe të vihet para përgjegjësisë penale ndotësi”, theksoi Panariti.

Gjithashtu ministri tha se, për përballimin e situatës duhet një koordinim i të gjitha strukturave përkatëse. “Unë mendoj se duhet një koordinim i të gjitha strukturave, nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni. Ministria e Mjedisit po monitoron situatën dhe po e ndjek hap pas hapi. Kjo është situatë e emergjencës civile. Duhet të mobilizohemi për përhapjen e ndotjeve dhe për të marrë masa për detoksikimin e ujit dhe rërës. Ne nuk kemi mjete të sofistikuara por diçka mund të bëhet me tamponë sfungjeri që të minimizojnë sipërfaqen. Pasi të jetë reduktuar sipërfaqja edhe mund të digjet. Ndotjet me hidrokarbure e bëjnë zonën të rrezikshme dhe të vështirë për të qëndruar. Nafta sublimohet me shpejtësi të madhe dhe shkakton erë të padurueshme në zonë, ndaj duhet ndërhyrë sa më parë për të minimizuar pasojat nga kjo ndotje”, pohoi Panariti.