KRYEFAQJA » LAJME » Reali i Madridit siguron titullin e 11-të, triumfon në finalen e ligës së kampioneve ndaj Atletikos
Reali i madridit siguron titullin e 11-të

Reali i Madridit siguron titullin e 11-të, triumfon në finalen e ligës së kampioneve ndaj Atletikos

Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka ulur të shtunën në mbrëmje siparin e këtij sezoni, duke kurorëzuar si kampion të saj, për të 11-ën herë në histori, Realin e Madridit, që ka mposhtur në finalen madrilene, Atletikon. Në fakt, për të përcaktuar fituesen e këtij trofeu janë nevojitur goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë janë mbyllur në barazim 1-1. Reali i Madridit e ka gjetur golin i pari, pas 15 minutash lojë, me anë të Serxhio Ramosit, dhe me këtë epërsi minimale do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat do të flasin më tepër për Atletikon, e cila, ndonëse do të fitojë dhe do të shkojë dëm një 11-metërsh me anë të Grizmanit, do ta gjejë golin e barazimit në çerekorën e fundit, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy kohëve shtesë nga 15 minuta shtesë secila. Edhe kjo shtesë prej gjysmë ore nuk ka sjellë gol dhe fati i takimit është vendosur nga pika e bardhë, kur Reali është treguar më i saktë, duke siguruar titullin e kampiones kontinentale.