KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Referendumi në Britani, zyrtarët: Nëse vendi largohet nga BE, s’ka kthim pas

Referendumi në Britani, zyrtarët: Nëse vendi largohet nga BE, s’ka kthim pas

Ndërsa po afrohet data 23 qershor, kur dhe mbahet referendumi në Britaninë e Madhe për qëndrimin apo daljen nga Bashkimi Evropian, po dëgjohen zëra të ndryshëm. Një angazhim të fuqishëm për të mbetur në Bashkimin Evropian e ka bërë sekretari i jashtëm britanik, Filip Hammond, duke thënë se vendimi për largimin do të jetë i pakthyeshëm. “Do të jetë një rezultat i ngushtë. Mesazhi që ne po përpiqemi ta dërgojmë te populli britanik është se ky është vendim i pakthyeshëm: nëse Britania vendos të largohet, atëherë nuk ka kthim prapa. Britania kurrë më, në ndonjë datë të mëvonshme, nuk do të mund të ribashkohet në BE. Pra, ky është një vendim shumë i rëndësishëm”, tha Hammond në Luksemburg, para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Ministri i jashtëm francez, Zhan Mark Ajro, tha se nuk dëshiron të përzihet në këtë çështje. “Është çështje e dëshirës së tyre të lirë dhe nuk dëshiroj të ndërhyj. Njëherësh, të gjithë evropianët po shikojnë nga populli britanik, pasi siç na përkujton historia jonë, ne kemi jetë të gjatë të përbashkët, me tragjedi, por me shumë shpresë”, tha Ajro. Sondazhet e reja tregojnë se votuesit po lëvizin nga kampi për mbetje të Britanisë në BE, pasi në dy javët e kaluara, ka pasur paraqitje të fuqishme të mbështetësve të largimit nga BE-ja. Kjo mbështetje i ka tronditur tregjet dhe ka përhapur një valë të tërheqjes së fuqishme të vërejtjes për pasojat, nëse Mbretëria e Bashkuar do të bëhej vendi i parë që largohet nga Bashkimi Evropian.