KRYEFAQJA » LAJME » Referoma në drejtësi, Rama takohet me Metën
Referoma në drejtësi, Rama takohet me Metën

Referoma në drejtësi, Rama takohet me Metën

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i parlamentit Ilir Meta, apo sic njihen ndryshe bashkëkryetarët e koalicionit qeveritar në Shqipëri, kanë biseduar të shtunën më shumë se tre orë në vilën qeveritare nr.30. Në fokus sikurse u shprehën vetë ata ka qenë diskutimi mbi ndryshimet që duhet të pësojë drafti i reformës zgjedhore pas opinioneve të ardhura nga Komisioni i Venecias. Në përfundim ata u shfaqën optimistë para gazetarëve duke shtrënguar edhe duart.
“Bëmë një takim për të diskutuar për një sërë çështjes, që është mbyllja e një viti dhe fillon një vit i ri. Një ndër objektivat kryesore është çuarja përpara e reformave në drejtësi. Ndamë kënaqësinë që trenit të reformës iu bashkua dhe PD. Jam i kënaqur se kaluan shumë kohë që të ndajnë trenin, por i hipën. Duhet të finalizojmë këtë proces duke shfrytëzuar dhe rekomandimet e Venecias” tha zoti Rama. Ndërkaq bëri thirrje që “Të gjithë së bashku të marrim përgjegjësinë që ti japim vendit reformën e shumë pritur prej shumë vitesh”.
Kryetari i parlamentit Ilir Meta, nga ana e tij dha garanci se brenda pranverës reforma në drejtësi do të votohet. “Në radhë të parë duhet të vlerësojmë punën e madhe që është bërë deri tani, ku ka patur një proçes gjithëpërfshirës të gjithë forcave politike, përfshirë dhe opozitën e cila kontribuoi dhe me propozimet e saj. Por në mënyrë të veçantë do të falenderoja edhe ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë për punën dhe angazhimin e tyre” tha zoti Meta. “Dhe dua të falenderoj edhe angazhimin e komisionit të Venecias edhe njëherë tjetër që në një kohë rekord iu përgjigj të gjitha pyetjeve duke sjellë vlerësimet paraprake të cilat janë një mbështetje shumë e rëndësishme për këtë reformë. Fakti që të gjithë aktorët politikë, mazhoranca dhe opozita janë të kënaqur me vlerësimet e këtij Komisioni tregon që e gjithë puna jonë për të ecur më shpejt me qëllim kurorëzimin e kësaj reforme përsa i takon ndryshimeve kushtetuese në pranverë është plotësisht e realizueshme”shtoi ai.
Ndërkaq pas këtyre deklaratave ka reaguar opozita. “Pas takimit me Metën, pseudoreformatori Rama, u shpreh se “opozita u përpoq të ndalte trenin e reformës në drejtësi, por i hipi vetë atij treni”. Në fakt sado që ulërin boria e makinës shtetërore shkatarraqe të Ramës dhe Metës, nuk e fsheh dot të vërtetën” tha sekretari i përgjithshëm Arben Ristani. “Rama u detyrua të ndërrojë tren. Venecia e hipi dhe Ramën në trenin e opozitës për drejtësi europiane dhe jo drejtësi kolumbiane, siç donte ai. Tani opozita do udhëheqë reformën për ta çuar trenin në destinacion” tha zoti Ristani.
Pavarësisht deklaratave pozitive të krerëve të politikës shqiptare rreth opinioneve të ardhura nga Komisioni i Venecias për ndërmarrjen e reformës zgjedhore, sërisht ka një optimizëm të matur rreth ecurisë së kësaj reforme. Komuniteti ndërkometar po ushtron vazhdimisht një presion në rritje që kjo reforma në drejtësi të miratohet sa më parë dhe brenda standarteve.