KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, Basha: Adoptim të plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias
basha_reforma2

Reforma në Drejtësi, Basha: Adoptim të plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias

Në mbledhjen e grupit parlamentar zhvilluar me dyer të mbyllura, demokratët dolën me qëndrim të unifikuar për të dhënë konsensus për reformën në drejtësi, vetëm nëse pranohet nga shumica rekomandimi i Komisionit të Venecias, konkretisht ai 88, që i referohet vendeve të rezervuara.
“Kemi dalë me vendim unanim në mbështetje të paketës kushtetuese, me një kusht të vetëm: adoptimin dhe zbatimin e plotë dhe jo të pjesshëm të rekomandimit 88 të opinionit të Venecias, pasi kjo ka të bëjë me moskapjen politike të sistemit”, deklaroi Basha.
Ky rekomandim për Bashën është i rëndësishëm për të gjitha organet, veçanërisht për ato që do të bëjnë kontrollin e integritetit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët. Venecia e sugjeron qartazi përzgjedhjen e sistemit ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë në këshillat respektive. Për Bashën, kjo është garancia që merr opozita, për moskapje politike të sistemit të drejtesisë nga mazhoranca.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura nga ekspertë të angazhuar në procesin e reformës në drejtësi është theksuar se opozita nuk ka kërkuar votimin me 2/3 me argumentin se 2/3 me mekanizëm zhbllokues do të thotë kapje e plotë dhe totale e drejtësisë.