KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, Basha akuzon Ramën se po e pengon
PD drejt konsensusit për miratimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit

Reforma në drejtësi, Basha akuzon Ramën se po e pengon

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës Lulzim Basha, akuzoi të hënën kryeministrin Edi Rama si penguesin e reformës në drejtësi me qëllim mbajtjen nën kontrollin politik të këtij sistemi. “Rekomandimet e Komisionit të Venecias janë udhërrëfyesi i vetëm për reformën në drejtësi, por kjo bie ndesh me përpjekjet dhe synimet e Edi Ramës për të kapur drejtësinë dhe jo për ta reformuar atë” u tha zoti Basha gazetarëve. Ai e konsideroi qëndrim kokëfortë të qeverisë zgjedhjet e drejtuesve të lartë në gjyqësor në bazë të formulës së 3/5 (84 votave), ç’ka përbën maxhorancën aktuale Rama-Meta. “Edi Rama nuk do institucione të reformuara, sepse ka për qëllim të diktojë si prokuror dhe gjyqtar, për të mbrojur krimin e korrupsionin, për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të inkriminuar ndër ta dhe deputetë” tha zoti Basha. Opozita ka propozuar që zgjedhjet e institucioneve të drejtësisë të bëhen me minimumin e 93 votave, ç’ka do të thotë se emërimet duhet të bëhen me konsensusin dypalësh. Por ekspertët thonë se një formulë e tillë mund të çojë në bllokim të situatave.
Opozita ndërkohë thotë se nuk do të paraqesi një draft paralel të hartuar nga opozita, por gjithashtu kjo e fundit kurrsesi nuk do të lejojë çimentimin e Edi Ramës kryeprokuror dhe kryegjyqtar. Vetë zoti Rama nuk ka bërë asnjë koment pas deklaratave të kundërshtarit të tij politik. Ndërkaq komuniteti ndërkombëtar ka nisur sërisht tratativat mes palëve. Ambasadori amerikan Lu është takuar sërisht me presidentin Nishani, në selinë e këtij të fundit.