KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, Basha këmbëngul rekomandimin 88
Pas kritikave të Lu, Basha këmbëngul: Pa rekomandimin 88 nuk ka Reformë në Drejtësi

Reforma në Drejtësi, Basha këmbëngul rekomandimin 88

Ndërsa maxhoranca e majtë po çon drejt miratimit në parlament Reformën në Drejtësi, opozita e djathtë po shton presionin për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Kreu i PD Lulzim Basha duke folur gjatë një aktivitet të PR, partia e aleate me e rëndësishme e demokratëve, tha se kjo është rruga që i ofron shqiptarëve një drejtësi të pavarur, të pakapur dhe të pandikuar nga mazhoranca aktuale. “Nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asgjë më pak dhe asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias. Zgjidhja është aty, ne kemi formuluar në ditët e fundit metodat europiane të implementimit të parimeve të rekomandimit 88. Asnjë argument nuk është paraqitur nga pala tjetër” tha zoti Basha. Por duke parë vendosmërinë e maxhorancës, kreu i opozitës paralajmëroi se gjithçka do ta kërkojë në fushatën e ardhshme elektorale. “Nëse nuk ja dalim dot, nëse kjo oligarki është e vendosur të sabotojë reformën në drejtësi apo ta shtyjë vendin ne destabilizim politik përmes deligjitimimit të parlamentit atëhere le ti garantojmë sot shqiptarëve se opozita, alterantiva e tyre i ka zgjidhjet dhe se në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojmë edhe për një reformë në drejtësi larg duarve të Edi Ramës, larg duarve të korrupsionit dhe krimit të lidhur me të, për një reformë sipas standardit të Venecias që sot garantoj shqiptarët që do të bëhet me ose pa Edi Ramën” tha zoti Basha.
Ndërkaq maxhoranca e ka çuar paketën e Reformës në Drejtësi në parlament dhe deri më 15 korrik pritet të përfundojë diskutimi në komisionet parlamentare. Votimi parashikohet të bëhet më 21 korrik.