KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, Basha përshëndet LSI, sulmon Ramën
Basha: PD mbështet propozimet e ndërkombëtarëve

Reforma në drejtësi, Basha përshëndet LSI, sulmon Ramën

Partia Demokratike më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, e cilësoi draftin e reformës në drejtësi të përgatitur nga maxhoranca si “një parafabrikat që nuk reflekton rekomandimet dhe vërejtjet thelbësore të Komisionit të Venecias”. Kreu i PD Lulzim Basha duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat në prag të fillimit në Tiranë të sesionit të ri legjislativ, akuzoi për këtë kreun e maxhorancës së majtë. “Edi Rama dhe kupola e tij shkatërruan çdo pritshmëri të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë për të pasur një sistem drejtësie të lirë dhe demokratik” tha zoti Basha . “Edi Rama dhe kupola e tij me konceptin e tyre të vjetër oligarkik, kanë tentuar të shkatërrojnë vullnetin amerikan dhe atë evropian për reformimin e drejtësisë” shtoi më tej ai.
Zoti Basha ndërkaq shprehu vendosmërinë e forcës së tij për arritjen e konsensusit në miratimin e reformës në drejtësi. Ai vlerësoi qëndrimi i LSI-së pro gjithpërfshirjes në reformën e drejtësisë, por tha se kjo nuk ka të bëjë aspak me ndonjë aleancë të mundshme mes partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “I ashtuquajturi afrim PD-LSI, është vetëm një fushatë primitive e instrumentalizuar, meqë kjo e fundit ka refuzuar draftin e njëanshëm të Ramës dhe po kërkon edhe konsensusin e opozitës. Ne përshëndesim këtë qëndrim të LSI-së dhe do të donim që edhe PS të vinte tek i njëjti qëndrim, si rrugëzgjidhja e vetme drejt reformës” deklaroi kreu i opozitës.
Deklarata e zotit Basha vjen ndërsa ka patur jo pak spekulime se LSI i ka hedhur sytë nga një koalicion i mundshëm me PD, një koalicion që drejtoi Shqipërinë në vitet 2009-2013. Në fakt rikthimi në këtë koalicion është mohuar nga zyrtarë të lartë të LSi dhe PS.