KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, BE dhe SHBA ultimatum politikës shqiptare
Mediat, propozimi i ri i ambasadorëve

Reforma në Drejtësi, BE dhe SHBA ultimatum politikës shqiptare

Duket se durimi i ndërkombëtarëve ndaj politikës shqiptare e cila ende nuk ka miratuar Reformën në Drejtësi, po shkon drejt fundit. Në mbledhjen e komisionit të reformës në drejtësi, ambasadorja e BE Romana Vlahutin dhe ambasadori amerikan Donald Lu kanë qene gati ultimativë me deklaratat e tyre.
“I kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme. Në këtë komision deri në fund të majit dhe në Parlament deri në fund të qershorit. Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë” u tha anëtarëve të komisionit zoti Lu.
“Ne besojmë se Shqipëria nuk mund të humbasë më shumë kohë. Të dy palët, BE dhe SHBA jemi këtu se jemi të interesuara për Shqipërinë. Nuk do të lejojmë që politika e përditshme të dëmtojë këtë të ardhme të Shqipërisë dhe do ta ndihmojmë të bëhet një demokraci funksionale” tha nga ana e saj ambasadorja e Vlahutin.
Zonja Vlahutin dhe zoti Lu shkuan edhe më tej duke ju kujtuar deputetëve se dështimi reformës do të ishte turp për marrëdhëniet mes Shqipërisë nga njëra anë dhe SHBA e BE nga ana tjetër.
“Kam një mesazh të thjeshtë: nëse kjo reformë dështon, ju anëtarët e këtij komisioni turpëroni veten para atyre që ju kanë zgjedhur dhe gjithashtu do të turpëroheni në marrëdhënien tuaj me SHBA dhe BE. Vendi ka nevojë për këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta baltosni këtë reformë, e dyta do të përballeni me zemërimin e popullit shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit e prokurroët e korruptuar…” paralajmëroi zoti Lu. “Ju keni përgjegjësi dhe personale dhe politike para vendit dhe para popullit tuaj. Një mundësi unike për Shqipërinë, mos e harxhoni atë kot” shtoi nga ana e saj zonja Vlahutin.

Pas këtyre paralajmërimeve ka reaguar menjëherë kryeministri Edi Rama. “Asnjëherë më dakord se sot me ambasadorët e SHBA-BE! Koha e ballos me maska po mbaron. PS gati të votojë që sot reformën në drejtësi” shkruan zoti Rama në Fejsbuk. Më parë kreu i parlamentit Ilir Meta ishte takuar personalisht me zotin Lu dhe zonjën Vllahutin. “Ka ardhur koha që kjo reformë të jetësohet, në radhë të parë përmes ndryshimeve kushtetuese, por e theksoj, në javët që vijnë dhe jo në muajt që vijnë. Njëkohësisht është koha që kjo reformë të monitorohet sesi do të zbatohet”, tha me këtë rast zoti Meta.

Ndërkaq ka reaguar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Më shumë se një angazhim para ndërkombëtarëve për të miratuar reformën, deklarata e tij ishte një sulm ndaj kreut të maxhorancës Edi Rama. “E han turpin me bukë lideri global! Gati PS të votojë që këtë javë? Ka 2 vjet që gënjen! A nuk u tha të njëjtën gjë dhe Fules, Junckerit, Merkelit, Mogherinit, Kerryt, Hahnit?! Për 2 vite Edi Rama e vonoi, zvarriti dhe sabotoi me qëllim çdo përpjekje për një reforme të mirëfilltë në drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin” vlerësohet në deklaratën e zotit Basha. Sipas tij “Partia Demokratike ka luftuar dhe do luftojë, mbrojë dhe votojë një Reformë në Drejtësi që jep drejtësi dhe dënon krimin dhe korrupsionin e lidhur pandashmërisht me qeverinë e këtij që në 2 vjet ju vodhi 2.2 miliard euro shqiptarëve”.