KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, ekspertët e opozitës largohen sërisht
Reforma ne Drejtësi shkon në Venecia, Basha replikon me Ramën

Reforma në drejtësi, ekspertët e opozitës largohen sërisht

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë nuk ka arritur të përfundojë draftin e reformës në drejtësi, pasi përfaqësuesit e opozitës kanë braktisur të dielën mbledhjen. Në thelb të kundërshtimeve mes palëve është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Opozita ka këmbëngulur që kandidaturat te miratohen me shumicë kushtetuese, prej 93 votash në parlament. Por ekspertët mendojnë se në kushtet e vështirësisë për të arritur këto vota në parlamentin shqiptar, ata të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash, aktualisht numri që zotëron maxhoranca e majtë. Ekspertët e opozitës thanë se përfaqësuesit e shumicës nuk kanë reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi nevojën e eleminimit të kapjes politike të sistemit të drejtesisë. Opozita ka kundërshtuar gjithashtu edhe lënien në fuqi të të dyjave varianteve të cilët do të shqyrtohen nga ana e të dërguarve të Komisionit të Venecias që do të jenë në Tiranë më 21 janar.  Sipas ekspertëve drafti do të dorëzohet të hënën. “Ne do të shkojmë me draftin që ka përgatitur grupi i ekspertëve të nivelit të lartë. Një draft që ne presim nga opozita të sjellë opinionin e saj dhe të jetë pjesë e rëndësishme e draftit të përbashkët. Ata sot ikën se nuk patëm mundësi për të gjetur pika të përbashkëta për disa çështje të caktuara. Por ne procesin e kemi afër fundit dhe natyrisht që ata janë të mirëpritur të japin opinionet e tyre” tha Sokol Sadushi një prej ekspertëve të lartë.