KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, gjyqtarët takohen me diplomatë të huaj
Manjani: E drejta e ndihmës juridike në Shqipëri është në kolaps

Reforma në drejtësi, gjyqtarët takohen me diplomatë të huaj

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ka organizuar të martën një takim me anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të K.GJ.K. dhe kryetarë të gjykatave në vend me diplomatë të huaj të akredituar në Tiranë. Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ambasadori i SH.B.A.-së në Tiranë, Donald Lu, Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, Kreu i Misionit Euralius IV, Ranier Deville si dhe Drejtuesi i Misionit OPDAT, Jon Smibert.
Sipas zyrës për shtyp të Gjykatës së Lartë, qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me procesin e reformës në drejtësi si dhe zhvillimet e pritshme në këtë drejtim. Gjyqtarët theksuan rëndësia e nevojës për reformë dhe u shprehën të gatshëm për të bashkëpunuar në implementimin e saj. Sipas tyre në thelb kjo reformë duhet të ketë në fokus forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjes së efektivitetit dhe performancës së tij, luftës kundër fenomeneve negative, veçanërisht kundër korrupsionit, etj.
Në takim gjykatësit pranuan se ekzistojnë probleme serioze që kanë të bëjnë me cilësinë e vendimeve; kushtet e punës; zvarritja e proceseve gjyqësore; niveli i ulët i besimit të publikut te drejtësia; disiplina dhe etika profesionale, etj. Sipas tyre këto fenomene duhet të adresohen që kjo reformë ti korrigjojë duke mbajtur parasysh respektimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë. Gjyqtarët vunë në dukje se suksesi i kësaj reforme lidhet me nevojën për gjithëpërfshirje dhe një konsensus sa më të gjërë, në mënyrë që ajo të prodhojë rezultatë pozitive, të jetë e qëndrueshme në kohë dhe efektive. Pjesëmarrësit në këtë tryezë shkëmbyen ide dhe paraqitën opinione për aspekte të veçanta që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese si dhe implementimin e tyre në të ardhmen, nëpërmjet legjislacionit zbatues që do të miratohet mbi bazën e këtyre amendamenteve. Sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë, të ftuarit sqaruan efektet përmirësuese që priten të arrihen nga kjo reformë duke paraqitur vizionin e tyre, si dhe duke siguruar vullnetin e tyre të palëkundur dhe asistencën e vazhdueshme për realizimin me sukses saj.