KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, komisioneri Han: Nëse nuk miratohet, shtyrje e perspektivës evropiane
El comisario europeo de Política Regional, Johannes Hahn, mientras el presidente del Comité de las Regiones está dando su discurso sobre ayudas a las regiones

Reforma në drejtësi, komisioneri Han: Nëse nuk miratohet, shtyrje e perspektivës evropiane

Komisioneri Evropian për Zgjerimin Johanes Han dërgoi sot nga Brukseli një mesazh me tone të forta e të qarta për politikën shqiptare lidhur me reformën në drejtësi. “Gjithnjë jam optimist dhe besoj se Shqipëria do t’ia dalë ta miratojë reformën në drejtësi deri në fund të qershorit, përndryshe i gjithë momenti i perspektivës evropiane do të shtyhet”. Kështu deklaroi komisioneri Han, i cili duket se si shumë zyrtarë të tjerë evropianë dhe amerikanë, po e humbet durimin. Gjatë vizitës në muajin mars në Shqipëri, Komisionieri Han i bëri thirrje politikës shqiptare ta miratojë reformën përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar. “Drejtësia është në thelb të përparësive. Është element kyç dhe na duhet një vendim përpara pushimeve të verës. Vetëm kështu, do të shohim në tetor rezultatet”, tha komisioneri. Pak ditë më parë, me tone po kaq të qarta foli edhe shefja e politikës së Jashtme të BE-së Federika Mogerini. “Reforma gjyqësore e thellë dhe gjithëpërfshirëse është hapi thelbësor i radhës për integrimin e vendit në BE. Kjo është një votë me përgjegjësi për çdo anëtar të parlamentit dhe grupim politik. Siç e theksova kur isha në Tiranë, mund të jetë hapja e një kapitulli të ri në historinë tonë të përbashkët. Besojmë se të gjithë partnerët shqiptarë do të shfaqin angazhim për këtë reformë, duke e miratuar dhe zbatuar”, u shpreh Mogerini. Në këtë fushate janë përfshirë edhe ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe ambasadori amerikan Donald Lu, i cili ka theksuar disa herë se reforma në drejtësi mbetet prioritet për Shtetet e Bashkuara, ndërsa çdo vonesë e saj do të jetë kosto për Shqipërinë dhe shqiptarët, një përfundim ky me të cilin bashkohet njëzëri gjithë faktori ndërkombëtar dhe në radhë të parë ai evropian.