KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, Manja: Kryeprokurori jo me propozim të Presidentit, zgjidhet nga Kuvendi me 3/5
ulsi-manja

Reforma në Drejtësi, Manja: Kryeprokurori jo me propozim të Presidentit, zgjidhet nga Kuvendi me 3/5

Formula e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm do të ndryshojë. Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi ka diskutuar projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Anëtari i komisionit, Ulsi Manja, ka sqaruar se sipas këtij projektligji, kandidatët për Kryeprokuror do të përzgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa më pas do të dërgohen për votim në Kuvend. “Ky projektligj ka parashikuar kushtet dhe kriteret të detajuara në lidhje me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, por formula është pjesë e amendamenteve kushtetuese dhe formula është formulë kushtetuese që i janë dorëzuar tashmë Kuvendit.” Sigurisht, Prokurorin e përzgjedh Kuvendi me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një mandat 7 vjeçar pa të drejtë ripërtëritjeje dhe sigurisht me shumicë të cilësuar prej 3/5-sh”, u shpreh Manja. Manja sqaroi se drafti i është dërguar të gjithë ekspertëve dhe prokurorëve për vlerësim dhe opinion. “Rëndësia e këtij projektligji tërësisht të ri është fakti se prokuroria nuk do të jetë më organ i centralizuar, por do të jetë një organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen e punës së Prokurorisë dhe respekton pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e së drejtës penale dhe përfaqësimin në gjyq. Sigurisht, projektligji është kujdesur për të garantuar edhe qëndrueshmërinë e institucionit nëpërmjet të drejtës që ka prokurori i Përgjithshëm për të nxjerrë udhëzime me karakter të përgjithshëm për të gjithë sistemin e prokurorisë.
Risia kryesore e këtij projektligji është një dhe vetëm një; tashmë prokurori i çështjes është i pavarur në ushtrimin e ndjekjes penale dhe në kryerjen e hetimeve paraprake, gjë e cila e sposton të gjithë barrën e përgjegjësisë për hetimin tek prokurori i çështjes.” Pr/ligji parashikon që mandati i kryeprokurorit të jetë 7 vite, pa të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë Presidentit i hiqet kompetenca për emërimin e prokurorëve.