KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, maxhoranca shpejton miratimin
Reforma në Drejtësi, maxhoranca shpejton miratimin

Reforma në Drejtësi, maxhoranca shpejton miratimin

Të paktën 38 deputetë të shumicës parlamentare, kanë firmosur të premten kërkesën për të përfshirë diskutimin dhe miratimin e paketës me ndryshimet kushtetuese në procedurë parlamentare. Lista, faksimilja e së cilës është publikuar në disa media, kryesohet nga kreu i komisionit të Reformës në Drejtësi deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Sipas ligjit shqiptar, për të ndryshuar kushtetutën nevojitet nisma 1/5-tës së deptetëve të parlamentit. Në bazë të rregullores, pas dorëzimit të kërkesës, në seancën e parë, kryetari i parlamentit i njeh të gjithë deputetët me kërkesën , ndërsa më pas fillojnë diskutimet dhe miratimi i paketës kushtetuese.
Nëse gjithçka do të eci në këtë rrugë, pritet që në seancën parlamentare të së enjtes të nisin procedurat e miratimit të Reformës në Drejtësi. Këto zhvillime ndodhin ndërsa në fillim të javës, komisioni i posaçëm në prani të ambasadorit amerikan dhe asaj të BE, miratoi paketën e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa opozita braktisi punimet në mënyrë demonstrative. Më tej ajo kundërshtoi ashpër futjen në rendin e ditës të punimeve të parlamentit diskutimin e paketës me ndryshimet kushtetuese. Kreu i parlamentit Ilir Meta kërkoi ndjesë për atë që ai e quajti lapsus i administratës. Opozita e pranoi ndjesën ndërsa më parë kishte lajmëruar padi penale ndaj zyrtarëve të parlamentit.
Por duket se zhvillimet intensive të kësaj jave, shkëmbimi i replikave në distancë mes zotit Rama dhe zotit Basha, përfshirja gjithnjë e më shumë e ndërkombëtarëve në përpjekjet për miratimin e Reformës në Drejtësi, ka sjellë zhvillime të reja. Palët kanë rënë dakord për gjithçka, ndërsa janë ndalur vetëm tek zgjedhja e katër organeve kryesore të drejtësisë që do të ngrihen të reja. Maxhoranca këmbëngul në zgjedhjen e tyre me 2/3 votave, ndërsa opozita kërkon ato që ajo i quan vende të rezervuar sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Vencias.