KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, Meta fton Bashën në takim: “Ta fitojmë kohën që kemi humbur”

Reforma në Drejtësi, Meta fton Bashën në takim: “Ta fitojmë kohën që kemi humbur”

Maxhoranca e majtë po tregohet gjithnjë e më shumë këmbëngulëse për të bashkëpunuar opozitën e djathtë për miratimin e Reformës në Drejtësi. Pas dështimit të takimit të një jave më parë midis kryeministrit Rama dhe kreyt të opozitës Basha, është kreu i parlamentit Ilir Meta i cili i ka propozuar zotit Basha një takim dy palësh: “Si kryetar i Kuvendit, i kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, për t’u takuar me të në çdo kohë, në çdo vend që ai e gjykon të arsyeshme dhe në çfarë do lloj formati që ai e gjykon të arsyeshme, mundësisht deri ditën e hënë” bëri të ditur zoti Meta ditën e premte në një konferencë për mediat. “Jam i bindur se jemi tashmë të vonuar në kalendarin për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, e cila nuk është përfshirë deri më tani për arsye të mos arritjes së kompromisit përfundimtar në komisionin e posaçëm të kësaj reforme” shtoi ai. Bashkëkryetar i maxhorancës së majtë në pushtet tha se “…duhet të reflektojmë dhe të lëvizim sa më shpejt në mënyrë që ky proces të zhvillohet me cilësinë e duhur, sipas standardeve të Komisionit të Venecias, por edhe sipas sugjerimeve të EURALIUS dhe OPDAT-t dhe jo vetëm kaq, por përveç cilësisë së kërkuar, ky proces të gëzojë dhe të gjithë legjitimitetin dhe integritetin e plotë që meriton si kryereforma që i nevojitet vendit”. “Jemi në krizë kohe sepse duhet të ishte përfshirë me kohë në kalendarin e Kuvendit, por unë besoj që me vullnetin e të gjitha palëve dhe me vullnetin e opozitës, shpresoj shumë, që ta miratojmë sa më parë dhe ta fitojmë kohën që kemi humbur” tha zoti Ilir Meta kryetar i parlamentit shqiptar dhe i LSI partia e dytë e madhe e maxhorancës.