KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, miratimi i draftit përshëndetet nga politika dhe ndërkombëtarët
Mediat, propozimi i ri i ambasadorëve

Reforma në Drejtësi, miratimi i draftit përshëndetet nga politika dhe ndërkombëtarët

Miratimi në parim i draftit me ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi nga ana komisionit të posaçëm, u përshëndet menjëherë nga politika shqiptare dhe ndërkombëtarët.
Kryeministri i vendit Edi Rama në një mesazh në Tuiter e konsideroi “Hap i madh përpara votimi në parim i draftit kushtetues të Reformës në drejtësi nga Komisioni i Posaçëm, bash në Ditën e Europës”.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndërsa përshëndeti miratimin, u shpreh se “Tani duhet të vazhdojë me përkushtim miratimi përfundimtar i Reformës. Ky është mesazhi më i mirë në ditën e Europës” tha zoti Meta.
Në një deklaratë për shtyp të ambasadës amerikane shënohet se “Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme”.
Ambasadorja e BE në Tiranë Vlahutin nga ana e saj tha se “Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur në rrugëtimin drejt BE. Shpresojmë që në fund të këtij viti Komisioni Europian të miratojë hapjen e negociatave për anëtarësim” tha ajo.