KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, ndërkombëtarët sheshojnë mosmarrëveshjet PS-PD
Reforma në Drejtësi, priten debate

Reforma në drejtësi, ndërkombëtarët sheshojnë mosmarrëveshjet PS-PD

Komuniteti ndërkombëtar ka ndërhyrë sërisht pranë PS e PD për ti detyruar të gjejnë gjuhën e përbashkët për të përfunduar me sukses reformën në drejtësi. Ka qene ambasadori amerikan Donal Lu dhe ambasadorja e BE Romana Vllahutin, të cilët kanë zhvilluar takime intensive me zyrtarët e të dy partive dhe juristët ekspertë. Opozita u tërhoq pak ditë më parë nga bashkëpunimi, pasi sipas saj maxhoranca kishte paraqitur një draft jashtë sugjerimeve të Komisionit të Venecias. Thelbi i tij ishte që propozimet në institucionet e drejtësisë të bëheshin me mbështetjen e 84 votave, ç’ka favorizonte maxhorancën. Kreu i PD Lulzim Basha u shpreh hapur se opozita nuk do të pranonte zgjidhje tjetër veç sugjerimeve të Komisionit të Venecias. Kreu i parlamentit Ilir Meta, duket se ka qenë një nga bashkëbiseduesit kryesorë mes palëve për t’i ulur sërisht në tryezë. Ai zhvilloi takime intensive me zotin Lu dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës, të cilët i çmoi për punën e deritanishme, të vazhdonin bashkëpunimin. Kryeministri Rama nga ana e tij ka takuar të premten presidentin Nishani. Përfundimi i përpjekjeve duket se ka qenë tërheqja e maxhorancës nga drafti i paraqitur.