KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, nis me mosmarrëveshje
Reforma në drejtësi, nis me mosmarrëveshje

Reforma në drejtësi, nis me mosmarrëveshje

Reforma në drejtësinë shqiptare, ka hapur një tjetër kapitull mosmarrëveshjesh mes partive politike. Ndërsa javën e kaluar palët pranuan rekomandimet e komisionit të Venecias për paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, shqyrtimi në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi ofroi sërish befasi.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti socialist Fatmir Xhafaj bëri me dije se, dokumenti final do të vijë pasi të mblidhet seanca plenare e Komisionit të Venecias. Zoti Xhafa ka propozuar që puna të nisë me ekspertët, ndërsa për çështjet e debatueshme të diskutojë politika. “”Mbi një draft konkret bëjmë një diskutim në parim, pastaj vazhdojmë pasi kemi zgjidhur të gjitha çështjet teknike … Kur nuk biem dakord, … ua lemë dy projekteve OPDAT-it dhe EURALIUS-it” tha ndër të tjera zoti Xhafa.
Por opozita këmbëngul se reforma në drejtësi duhet të kalojë vetëm nëpërmjet një dialogu dhe konsensusi të gjerë politk.
“E thotë draft raporti i Komisionit të Venecias 7 herë në paragrafin 11,14, 19, 23,24,38, 61 e me radhë thotë: I takon politikës, i takon ligjbërësve se çfarë vendimi duhet të marrim dhe nuk ja lënë këto çështje ekspertëve për të vendosur” tha deputeti demokrat Eduard Halimi. Ai akuzoi PS se po refuzon dialogun pasi nuk i intereson një drejtësi e pakapur.
Edhe deputeti LSI Spartak Braho këmbënguli tek nevoja e konsensusit. “Flamuri, në mënyrë figurative, i reformës në drejtësi është ngulur në malin e Dajtit! O do të vemë të tërë bashkë ose asnjëri. Ne duke tërhequr nga këmbët njëri-tjetrin jo unë po ti,pengojmë reformën” tha zoti Braho.
Dmokratët paraqitën në mënyrë sintetike 11 pika që kundërshtojnë draftin e maxhorancës. Po kështu edhe LSI listoi 5 çështje që sipas saj duhet të vlerësohen. Deputeti socialist Pandeli Majko akuzoi opozitën i mungon vullneti për t’u përfshirë në reformën në drejtësi. “Falenderoj përfaqësuesin e opozitës, që të paktën sot ne marrim vesh në mënyrë publike se për çfarë nuk jeni dakord” tha me ironi zoti Majko.
Pas këtyre zhvillimeve gjithshka duket se do të nisi nga fillimi, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po këmbëngul në përfundimin sa më shpejt të reformës në drejtësi si kusht për çeljen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE.