KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi njeh zhvillime të reja
Manjani: E drejta e ndihmës juridike në Shqipëri është në kolaps

Reforma në drejtësi njeh zhvillime të reja

Përgatitjet e draftit për reformën në drejtësi duket se po njohin zhvillime të reja. Pas draftit tashmë të përgatitur nga ekspertët e lartë, por pa mbështetjen e opozitës, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë të ditur se dikasteri që ai drejton ka hartuar një draft paralel. “Është draft ekspertësh, të dyja draftet janë ekspertësh. Nuk janë propozime politike, por propozime ekspertësh, se po të ishin të mazhorancës, nuk do të quheshin ekspertë ata”. Zoti Manjani hodhi poshtë dyshimet e lindura se brenda maxhorancës ka mosmarrëveshje lidhur me këtë çështje. Sipas tij, pas përfundimit të draftit të ekspertëve të nivelit të lartë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka asnjë pengesë për mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi.
Nga ana e opozitës është deklaruar ish kryeministri Sali Berisha. Ai tha se këtë të martë mund të kishte pasur një kompromis për reformën në drejtësi, nëse kryeministri Edi Rama nuk do të kishte hedhur poshtë një propozim serioz sipas tij të ekspertëve të huaj. “Rrëzoi propozimin, për mua logjik, që dëshmonte se asnjëra palë nuk ka synim ta kapë”. Ish kryeministri Berisha akuzoi pasardhësin e tij se me draftin e përgatitur synonte të shpallej kryegjykatës dhe kryeprokuror. “Rama është i pakorrigjueshëm, i papërmbajtur dhe i verbër në revanshin e tij. Me këto hapa ju them se ai vetëm sa po e pengon reformën” tha zoti Berisha. Më tej ai akuzoi kreun e maxhorancës se po bën marrëveshje me disa deputetë të opozites për të kaluar ndryshimet kushtetuese në Parlament. “Kam bindje se nga opozita Edi Rama nuk do të mund të garantojë asnjë votë. Deputetët e opozitës pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë, nuk janë kriminelë që shiten e blihen, nuk i përkasin merkatos së krimit” tha ish kryeministri Berisha.