KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, pas Komisionit të Venecias palët shprehen për nevojën e dialogut
Komisioni i Venecias publikon draftin final mbi Reformën në Drejtësi

Reforma në Drejtësi, pas Komisionit të Venecias palët shprehen për nevojën e dialogut

Kreu i parlamentit dhe bashkëkryetari i koalicionit qeveritar Ilir Meta, ka bërë thirrje për të punuar drejt një qasje konsensuale për reformën në drejtësi, ndërsa në duart e partive politike ka mbërritur opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias. “Të punojmë për qasje konsensuale për reformën në drejtësi. Të biem dakord për të hartuar një axhendë konkrete dhe kalendar të punimeve duke nisur nga ato çështje që na bashkojnë dhe janë të pakontestuara. Komisioni të nisë menjëherë nga puna për realizimin përfundimtar të reformës në drejtësi”. Duke ju referuar atyre që ai i cilësoi si “intepretime të ndryshme” zoti Meta tha se “… kemi mundësitë të bashkëpunojmë e konsultohemi me ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT për të realizuar këtë reformë”. “Nëse duam të krijojmë pretekste dhe takticizma, kjo nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit” paralajmëroi kreu i parlamentit.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama duke folur në emisionin “Shih Programin” në RTSH, shprehu shpresën se mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias do të arrihen pikëtakimet e nevojshme me opozitën. “Ne do të synojmë dakordësinë me opozitën që reformën ta kalojmë me planin A, me dakordësinë. Nëse jo, vjen plani B. Ju nuk duhet ta prisni planin B, duhet të uroni që të bëhët plani A” tha kryeministri Rama. “Jam shpresëplotë që reforma do të kalojë. Kush identifikohet para shqiptarëve si shkak për moskalimin e reformës do të përvëlohet në zgjedhjet e ardhshme dhe unë besoj se të gjitha partitë parlamentare e dinë këtë” paralajmëroi kreu i maxhorancës.
PD e opozitës nga ana e saj, ka deklaruar se është e inkurajuar nga pranimi që Komisioni i Venecias i bën shqetësimeve që ajo ka ngritur që në fillim për kapjen politike të sistemit të drejtësisë nga qeveria Rama. Eduard Halimi, ish ministër në qeverinë Berisha, aktualisht nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Drejtësinë, tha se të gjitha çështjet e ngritura në raport duhet t’i nënshtrohen dialogut politik, duke theksuar se është detyrë e mazhorancës ta krijojë këtë dialog.