KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, priten debate
Reforma në Drejtësi, priten debate

Reforma në Drejtësi, priten debate

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi pritet të mblidhet pasditen e së hënës për t’u njohur dhe diskutuar propozimet e shumicës. Në fokus pritet të jenë kompetencat e presidentit në raport me sistemin e drejtësisë, funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ngritja e Gjykatës së re Administrative, ridimensionimi i Gjykatës së Apelit në gjithë Shqipërinë, ridimensionimi i prokurorisë, si dhe ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë. Reforma në drejtësi ka mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konsiderohet si kushti vendimtar që Shqipëria të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.
Analistët politikë parashikojnë debate të ashpra. Sipas hollësive që kanë dalë në media të ndryshme momentet më delikate do të jenë diskutimet rreth propozimeve të maxhorancës për heqjen e kompetencave të Presidenti i Republikës për të emëruar gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë apo të apelit dhe as anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Një tjetër propozim është përjashtimi i Presidentin nga përzgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe ndërpreja e mandatit të propkurorit të përgjithshëm për shkak të ndryshimeve.
Gjithnjë sipas analistëve të politikës, momenti më i rëndësishëm është miratimi i kësaj reforme nga të gjitha palët. Sipas ligjit shqiptar do të duhen minimumi 94 vota në parlament për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm. Nga raportet aktuale në politikën shqiptar, një numër i tillë deputetësh në parlament është vështirë të arrihet, pavarësisht se si shumica ashtu dhe pakica, kanë deklaruar se dëshërojnë konsensus . Kanë qarkulluar ide se do të ishte mirë që kjo reformë të miratohej me referendum. Por nëse vendoset një gjë e tillë ky referendum nuk do të mund të zhvillohej para vjeshtës së vitit të ardhshëm.