KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, Rama e Berisha paralajmërojnë njëri tjetrin për pasojat
Reforma në Drejtësi, Rama e Berisha paralajmërojnë njëri tjetrin për pasojat

Reforma në Drejtësi, Rama e Berisha paralajmërojnë njëri tjetrin për pasojat

Ndonëse Reforma në Drejtësi tashmë është miratuar, polemikat rreth saj nuk janë shuar, përkundrazi. Parlamenti shqiptar në seancën e fundit për këtë sesion, u bë arenë e polemikave veçanërisht mes kryeministrit Rama dhe paraardhësit të tij Berisha. Në qendër ishin paralajmërimet për fatin e tyre në të ardhmen, pas zbatimit të reformës, të cilat u shoqëruan edhe me kërcënime.
“Sali, unë kam tre vjet këtu edhe është hera e parë që ti përgatit me shkrim, tamam si ata dëshmitarët e rremë që përgatiteshin me shkrim kohën e partisë tënde të parë, që të mos i kapte në kundërthënie gjykata dhe mirë ke bërë se tani që kaloi paketa kushtetuese, do të duhet të bësh ca fjalime me shkrim, parashikoj unë. Se reforma vazhdon dhe si dihet se ku do jesh dëshmitar në të ardhmen”, ironizoi dhe kërcënoi zoti Rama ish kryeministrin Berisha, i cili më parë kushte mbajtur një fjalim të gjatë rreth miratimit të Reformës në Drejtësi, duke e quajtur atë fitore të opozitës dhe humbje të maxhorancës.
Por pas kësaj deklarate, zoti Berisha i ka bërë thirrje prokurorit të nisë hetimet. Ai akuzoi zotin Rama se pasi humbi të gjitha ligjet, ka filluar të thërrasë në zyrë njerëz të ndryshëm duke u thënë se do emërojë kryetar të SPAKUT. “Prandaj hiq dorë!” tha ai.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i zotit Rama. “Mos u mërzit siç e kam thënë do bëhet, do ta shikosh sesi të gjithë prokurorët e gjykatësit që janë lidhur me trungun tënd do ikin. Të tjerat ia lëmë kohës!” tha ai.
Nga ana e tij zoti Berisha ashtu si dhe më parë e ka paralajmëruar zoti Rama se do të ketë fatin e ish kryeministrit rumun Viktor Ponta. “Pas prokurorëve e gjykatësve e ka llumi i politikës. Përgatitu mirë se do shkosh atje ku është dhe Ponta. Je i pashpresë!” tha ish kryeministri Berisha.
Debati i sotëm parlamentar i cili njohu dhe aktorë të tjerë, veçanërisht ministrin e brendshëm Tahiri dhe pasardhësin e tij Noka, paralajmëron beteja të ashpra me rastin e miratimit në sesionin e ardhshëm parlamentar të disa ligjeve të rëndësishme. Janë afro 80 ligje, ose gjysma e ligjeve kushtetuese që do tu nënshtrohet ndryshimeve për të cilat palët kanë kohë që debatojnë. Gjatë gjithë muajve kur është diskutuar Reforma në Drejtësi, si socialistët dhe demokratët, kanë akuzuar njëri tjetrin se nuk e dëshërojnë këtë reformë, madje kanë frikë se mund të jenë viktima të saj.
Në fjalën e sotme të zotit Berisha, ranë në sy edhe deklaratat në mbështetje të qëndrimit të LSI dhe kryetarit të saj Ilir Meta. “Në këtë proces pa dyshim fitoi dhe LSI që në momentet kritike mes konsensusit dhe bashkëqeverisjes zgjodhi konsensusin . Fituan miqtë e vërtetë të shqiptarëve që ia donin të mirën e saj dhe jo mbi 90 vota të blera, por 140 vota” tha zoti Berisha. Vetë zoti Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi ka nisur një vizitë në SHBA i ftuar në të marri pjesë në konventën e Partisë Demokrate, me rastin e nominimit të zonjës Klinton si kandidate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.