KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, Rama fton në debat televiziv Bashën
Reforma në Drejtësi, Rama fton në debat televiziv Bashën
Fotomontazh i emisionit Alpazar

Reforma në Drejtësi, Rama fton në debat televiziv Bashën

Kryeministri socialist Edi Rama ka ftuar në debat publik televiziv kreun e opozitës Lulzim Basha në një tjetër përpjekje për të gjetur konsensusin dhe miratuar Reformën në Drejtësi. Në një letër drejtuar zotit Basha të dielën, përmbajtja e së cilës botohet në Fejsbuk, zoti Rama shpreh keqardhjen për atë që e konsideron “reagim destruktiv” të zotit Basha pas propozimit të një dite më parë për tu takuar për të diskutuar një variant të ri të opozitës . “…Lejomëni t’Ju rikujtoj publikisht, që propozimi Juaj “i bazuar 100 për qind tek rekomandimet e Venecias” jo vetëm nuk njihet si i tillë nga SHBA/BE, po është refuzuar kategorikisht dhe publikisht prej tyre” shkruan zoti Rama. “Si mund ta pranojë qeveria e këtij vendi një “zgjidhje” të papranueshme për SHBA/BE, e cila hedh në erë themelet e Reformës në Drejtësi dhe hap një hendek të pakapërcyeshëm në rrugën e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian?!” pyet ndër të tjera kreu i maxhorancës.
Zoti Rama i bën thirrje zotit Basha dhe nëpërmjet tij opozitës, “…çlirohuni nga frika prej Reformës në Drejtësi dhe mos viktimizoni, për llogari të një grushti të korruptuarish, një popull të tërë që ka sot të drejtën e tij sovrane për të marrë mbrapsht, hakun e ngrënë 25 vjet me radhë nga të inkriminuarit që mbajnë peng drejtësinë në Shqipëri!”
Duke i përsëritur gadishmërinë për tu takuar zotit Rama shkruan se “Madje jam gati, që nesër, të debatojmë edhe përpara shqiptarëve, në çdo format televiziv të pranueshëm për Ju, mbi pikën që ndan jo thjesht qëndrimet tona, po qëndrimet Tuaja, të Partisë Demokratike, me qëndrimin e unifikuar të shumicës sonë qeverisëse, të Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian”.
Ndërsa një ditë më parë, mesazhi përmbyllës i zotit Rama ishte “Koha nuk pret, sfida është historike”, sot ai shkruan: “Koha vrapon, sfida është historike!”.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Duke u shprehur i gatshëm për debat lidhur me problemet që ka vendi, ai thekson se reforma kushtetuese nuk zgjidhet me akrobacira politike e as me shfaqje televizive. Kjo çështje kërkon konsensus e vullnet. Unë dhe Partia Demokratike i kemi dëshmuar të dyja këto cilësi e virtyte që ditën e parë, cilësi e virtyte që kanë munguar rëndshëm në anën tuaj, shprehet kreu i PD.  Zoti Basha thekson në deklaratën që kreu i Partisë Socialiste të caktojnë negociatorët të cilët duhet të kenë fuqinë për të dhënë edhe zgjidhjen.