KRYEFAQJA » LAJME » Reforma ne Drejtësi shkon në Venecia, Basha replikon me Ramën
Reforma ne Drejtësi shkon në Venecia, Basha replikon me Ramën

Reforma ne Drejtësi shkon në Venecia, Basha replikon me Ramën

Komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës në Drejtësi, pas orësh të tëra debatesh, shpesh herë edhe me tone të larta, ka vendosur që drafti i ekspertëve të ekspertëve të nivelit të lartë t’i dorëzohet Komisionit të Venecias. Mbledhja, e cila u transmetua drejtëpërdrejtë nga disa televizione, veç mosmarrëveshjeve të njohura mes maxhorancës dhe opozitës, nxorri në pah edhe ndryshimet brenda maxhorancës, PS dhe LSI. Ndaj komisioni vendosi unanimisht që draftit t’i bashkangjiten edhe vërejtjet e Partisë Demokratike dhe të LSI-së.
Ndërkaq në distancë, kreu i maxhorancës Rama dhe ai i opozitës Basha, shkëmbyen replika. Shkak u bënë deklarata e zotit Rama në Fejesbuk se reforma në drejtësi duhet “për të zgjidhur me kurajo e vullnet të mirë një hall kombëtar, e jo për t’ia hedhur popullit me një pazar politik të shitur për konsensus”. Po në Fejsbuk zoti Basha në një status të gjatë e konsideron zotin Rama si “tregtari i paskrupullt i politikës”.  Zoti Basha është deklaruar edhe për mundësinë e një referendumi për miratimin e reformës në drejtësi, ide e hedhur nga kryeministri Rama. Por sipas tij “Referendumi është vërtet një mundësi e shkëlqyer. Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme” .