KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi sjell Njuland në Tiranë
Reforma në Drejtësi sjell Njuland në Tiranë

Reforma në Drejtësi sjell Njuland në Tiranë

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Viktoria Njuland, do të qëndrojë të dielën në Tiranë, në një përpjekje për të bindur palët politike në Shqipëri të gjejnë gjuhën e përbashkët për miratimin e Reformës në Drejtësi. Sipas axhendës zonja Njuland do të pritet fillimisht nga ministri i jashtëm Bushati, ndërsa më pas do të takojë kreun e opozitës Basha dhe kryeministrin Rama.
Vetëm një ditë më parë zoti Rama deklaroi se “Ardhja e zonjës hekur nga Uashingtoni është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për shqiptarët se çfarë rëndësie të madhe i kushton Shtëpia e Bardhë, çfarë rëndësie i kushton qeveria amerikane reformës në drejtësi dhe se çfarë fitojmë dhe çfarë humbim duke e votuar, ose duke mos e votuar Reformën në Drejtësi”.
Nga ana e opozitës nuk ka patur deklarata lidhur me këtë vizitë. Por nisur nga zhvillimet e fundit, veçanërisht deklaratave të ambasadorit Lu pak ditë më parë se “Mazhoranca i ka pranuar këto propozime, ndërsa zoti Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”, të bëjnë të mendosh se më së shumti këshillat e zonjës Njuland do të jenë në drejtim të opozitës.
Megjithatë orët e fundit duket se ka përpjekje intensive mes palëve me ndërmjetësimin edhe të ndërkombëtarëve. Kryeministri Rama ka pranuar se po shihet nëse ka ende ende zgjidhje, sikurse u shpreh “për të akomoduar një propozim që do të mund të shterronte deri në fund të gjitha përpjekjet tona që PD të vinte të votonte reformën”.