KRYEFAQJA » LAJME » Reformat, Berisha dhe Rama përplasen në parlament
Parlament, Rama dhe Berisha polemizojnë

Reformat, Berisha dhe Rama përplasen në parlament

Reforma në drejtësi, por edhe zhvillime të tjera, kanë vënë ballëpërballë të enjte në seancën plenare të parlamentit, ish kryeministrit demokrat Sali Berisha dhe pasardhësin e tij socialist kryeministrin Edi Rama.
Ashtu sikurse mund të merret lehte me mend, zoti Berisha ka zënë foltoren e parlamentit dhe për minuta të tëra ka akuzuar qeverinë dhe veçmas kryeministrin Rama se nuk po lejon reformën në drejtësi. “Njeriu që saboton reformën në drejtësi është Edi Rama. Këtë e them bazuar në fakte të pakundërshtueshme. Njeriu që mashtron shqiptarët duke thënë se po bën reforma është Edi Rama” tha zoti Berisha, duke shtuar se “… reforma do të bëhet, se nuk mund të vazhdohet me mashtrime”.
Gati po aq gjatë i është përgjigjur edhe kryeministri Rama akuzave të zotit Berisha. Veçanërisht ai ka mbrojtur politikën ekonomike të qeverisë dhe ka premtuar rritjen e bashkëpunimin publik-privat. “Ju që akuzoni vazhdoni të jeni jo opozita, por qeveria e vjetër, që çdo vit keni ulur në mënyrë brutale dinjitetin dhe imazhin e vendit. Reformat kanë nisur të japin rezultate në luftën kundër korrupsionit, që do të mbetet një luftë e qeverisë për të ndërtuar shtet” ju drejtua ai paraadhësit të tij Berisha. Lidhur me reformën në drejtësi, zoti Rama tha: “Kush e saboton do të marrë një përgjigje si asnjëherë më parë”.

Senaca plenare vazhdon dhe RTSH si zakonisht e transmeton drejtëpërdrejtë.