KRYEFAQJA » LAJME » Vazhdon pritja e refugjatëve në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë
refugjatet ne kufirin greko-maqedonas

Vazhdon pritja e refugjatëve në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë

Mijëra refugjatë iu gëzuan sot rrezeve të para të diellit pas një nate me shi të dendur në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Por bashkë me zbardhjen e ditës së re, edhe ushtria maqedonase zuri pozicion pas gardhit me tela për të penguar përpjekjet për hyrjen me forcë në tokën maqedonase. Në vendkalimin kufitar greko-maqedonas në fshatin kufitar Idomeni kanë mbetur rreth 8.500 refugjatë sirianë dhe irakianë, duke pritur që të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt vendeve të Evropës. Sipas organizatave humanitare të cilët veprojnë në anën greke, qendra për pritjen e refugjatëve në Idomeni është e mbushur si asnjëherë më parë. Aq e madhe është dyndja saqë as një kamp i ri që po ngrihet në Selanik nuk do ta zgjidhe gjendjen me refugjatët. Vullnetarët dhe punonjësit humanitare vazhduan me shpërndarjen e ushqimeve dhe ndihmës mjekësore për të sëmurët e shumtë, që janë shtuar sidomos mes femijëve si pasojë e motit të ftohtë dhe kushteve johigjienike.