KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Reinke: Pritet një rishikim pozitiv për rritjen ekonomike!

Reinke: Pritet një rishikim pozitiv për rritjen ekonomike!

FMN mendon se parashikimi prej 3.4 për qind i rritjes ekonomike të Shqipërisë, mund të tejkalohet. Deklaratën e ka bërë për RTSH në një intervistë ekskluzive përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke. “Misioni i FMN-së do të vizitojë Tiranën javën e ardhshme dhe do të rishikojë situatën ekonomike. Mendoj se axhenda e përforcuar e reformave dhe politikat e qendrueshme ekonomike, do të çojnë në një rishikim pozitiv për rritjen ekonomike” tha ai.
Sipas zotit Reinke po bëhet një punë e mirë për zhvillimin e tregjeve financiare dhe vlerësimi që Shqipëria mori nga “Standard e Poors” është një sinjal që përmirëson besimin e investitorëve, por ende ka punë për të bërë veçanërisht në diversifikimin e sektorit financiar. “Shqipëria ka një bankë qëndrore të aftë dhe ka një sektor bankar të madh, por ende sektori financiar nuk është shumë i diversifikuar” tha ai. Sipas përfaqësuesit të përhershëm i FMN-së në Shqipëri sektori financiar jo bankar porsa ka lindur. “Duhet të vijohet me strategjinë e pastrimit të kredive të këqija, çka do e bënte sektorin bankar me efektiv në kredidhënie. Kjo jo vetëm që do të ndihmonte në rritjen ekonomike, por edhe do ta zhvillonte më shumë këtë sektor” mendon zoti Reinke.
Zyrtari i FMN ka shprehur mbështetjen për aksionin e qeverisë kundër informalitetit si një instrument për të luftuar evazionin fiskal, mashtrimin me taksat dhe kulturen e mospajtueshmerise me to. “Objektivi i aksionit të qeverisë kundër informalitetit është ai i duhuri dhe ne e mbeshtesim atë. Ky aksion të bëhet pjesë e strategjisë së administrates tatimore e doganore, për të cilat nevojitet edhe një forcim i funksioneve bazë” sugjeron zoti Reinke.
Përfaqësuesi i përhershem i FMN-se në Shqipëri Jens Reinke, shprehet se pavarësisht ndikimeve të jashtme tregtare e financiare, Shqipëria duhet të vijojë punën për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve.