KRYEFAQJA » LAJME » Rekord i ri botëror në atletikë; Herrison vendos kohë rekord në garën finale
harrison

Rekord i ri botëror në atletikë; Herrison vendos kohë rekord në garën finale

Në stadiumin Olimpik të Londrës rishkruhet historia e atletikës. Në pistën ku katër vjet më parë u thyen rekordet e u morën medaljet e Olimpiadës 2012, në garat e të premtes në etapën e 10-të të Dajmënd Ligës, vendoset një rekord i ri botëror. Në garën e 100 metrave me pengesa amerikania Kendra Herrison, vendos kohën rekord 12”20 në garën finale. Ndërkohë që sinjalin për një garë të shkëlqyer 24-vjeçarja amerikane e dha që në gjysmëfinale kur fiksoi kohën 12″40. Herrison përmirësoi rekordin e mëparshëm 12.21 të vendosur nga atletja bullgare, Jordanka Donkova në 20 gusht 1988. Londra duket se është fatsjellëse edhe për Usain Bolt. Katër vjet më parë në Lojërat Olimpike aty, sprinteri xhamajkan fitoi medaljet e arta në 100 dhe 200 metra. Të premten në mbrëmje, Bolt ka zgjedhur të garojë në 200 metra. I rikthyer pas dëmtimit muskulor, spinteri xhamajkan zhvillon një garë të mirë, dhe pret i pari finishin duke dhënë kohën, 19.89. Pas tij u renditën panamezi Alonso Eduards dhe britaniku Adam Gemil.