KRYEFAQJA » LAJME » Renzi rrezikon të humbasë referendumin

Renzi rrezikon të humbasë referendumin

Shpresat e kryeministrit italian Mateo Renzi për të fituar referendumin për reformat kushtetuese po pakësohen shpejt, ndërsa votuesit e pavendosur po zgjedhin që të kundërshtojnë planet e tij. Të paktën kështu sugjerojnë sondazhet e fundit, megjithëse kushdo mund të vendosë vetë për besueshmërinë e tyre, duke parë dështimet e parashikimeve në rastin e Brexit dhe zgjedhjeve në SHBA. Renzi nuk rrezikon vetëm planet, por edhe postin e tij, pasi ka premtuar se do të dorëhiqet nëse humb më 4 dhjetor kur do të zhvillohet referendumi. Ky i fundit i paraqet italianëve propozimin e kryeministrit për të reduktuar rolin e Senatit dhe për të transferuar më shumë fuqi tek qeveria qendrore nga rajonet, diçka që ka rritur pasigurinë politike në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës. Sondazhet janë ndalur në javën para referendumit, ndërsa analistët bien dakord kur thonë se situata është përkeqësuar në dëm të Renzit. Faktor në rritjen e kampit që kundërshton referendumin shihet edhe vala e ndjesisë populiste apo anti-elitë, që solli fitoren e Trump apo Brexit. Vetë Renzi vazhdon të bëjë fushatë në të gjithë vendin duke u përpjekur që të fitojë vota dhe duke e reklamuar propozimin e tij si shpëtimin e Italisë. “Reformat strukturore janë aseti kryesor për të ardhmen e Italisë dhe kjo dihet. Janë pikërisht këto që i duhen vendit dhe italianët do të vendosin nëse janë dakord apo jo me thjeshtimin e institucioneve që ne kemi propozuar”, deklaroi kryeministri Italian. Një humbje e mundshme në referendum, bën më të fortë lëvizjen rebele “5 Yjet” dhe të djathtën në Itali, diçka që pas dorëheqjes së kryeministrit, do të reflektohej edhe në zgjedhjet që do të pasonin. Për shumë ekspertë, premtimi i dorëheqjes, ishte një gabim taktik i Mateo Renzit, pasi nuk duhej ta kishte shndërruar referendumin në një çështje kaq personale.