KRYEFAQJA » LAJME » Renditja e re e FIFA-s: Shqipëria -7 vende, Kosova +4
Renditja e re e FIFA-s: Shqipëria -7 vende, Kosova +4

Renditja e re e FIFA-s: Shqipëria -7 vende, Kosova +4

Organi kryesor i futbollit botëror, FIFA ka bërë publik sot në faqen e vet në internet renditjen e re për skuadrat përfaqësuese të të gjithë globit. Shqipëria ka zbritur me shtatë vende në renditje pas fitores 2-0 në Lihtenshtejn dhe humbjes 2-0 në Shkodër kundër Spanjës. Në renditjen e mëparshme kombëtarja e italianit Giovanni De Biasi ishte në vendin e 40-të dhe kishte 678 pikë ndërsa sot renditet e 47-ta me 619 pikë.

Skuadra tjetër shqipfolëse, Kosova, është rritur në këtë renditje me katër vende edhe pse ajo ka humbur dy ndeshjet e fundit kualifikuese për në botërorin Rusi 2018, të parën në Shkodër kundër Kroacisë 6-0 dhe 3-0 në Krakovë kundër Ukrainës. Skuadra e Albert Bunjakut në renditjen e më parshme ishte në vendin e 168-të dhe kishte 135 pikë ndërsa sot ajo renditet e 164-ta dhe ka po 135 pikë. Kjo është pasojë e rënieve që kanë patur skuadrat e tjera.

Në vendin e parë në këtë klasifikim vazhdon të jetë Argjentina me 1621 pikë, pas saj vijnë Gjermania, që rritet me një vënd, me 1465 pikë, Brazili që ngjitet me një vend dhe ka 1410 pikë, Belgjika në vendin e katërt, bie dy vende, me 1382 pikë, Kolumbia me 1361, zbret një vënd. Kili është në vendin e gjashtë me 1273 pikë, Franca që rritet me një vend dhe ka 1271 pikë, Portugalia zbret me një vend dhe ka 1231 pikë, Uruguaj është në vendin e nëntë me 1175 pikë dhe Spanja ngjitet me një vend dhe ka 1168 pikë.

Skuadrat e tjera të cilat janë kundërshtaret e Sqipërisë, në Grupin G për ndeshjet kualifikuese të botërorit Rusi 2018, në këtë renditje janë: Italia në vendin e 13-të me 1082 pikë, Izraeli që rritet me 19 vende është në vendin e 79-të me 450 pikë, Maqedonia e cila zbret me 9 vende është në vendin e 155-të me 167 pikë dhe Lihtenshtejni që zbriti vetëm me një vend është në vendin e 183-të me 81 pikë.