KRYEFAQJA » LAJME » Renditja e re e FIFA-s: Shqipëria e 37-ta, Kosova e 190-ta
Renditja e re e FIFA-s: Shqipëria e 37-ta, Kosova e 190-ta

Renditja e re e FIFA-s: Shqipëria e 37-ta, Kosova e 190-ta

Pas përfunimit të Kupës së Amerikës të 100 vjetorit dhe Euro 2016 organi më i lartë botëror i futbollit, FIFA, bëri zyrtare sot renditjen e re për kombëtaret, anëtare të saj. Shqipëria u rendit e 37-ta (739 pikë) duke fituar pesë vende pasi para kampionatit Europian renditej në vendin e 42-të (667). Nga 24 vendet pjesëmarrëse në Euro 2016, gjithmonë sipas renditjes së FIFA-s, kombëtarja e drejtuar nga Giovanni De Biasi rezulton të jetë e 22-ta duke ia kaluar Rusisë e 38-ta (728) dhe Suedisë e 40-ta (656) në këtë renditje. Tashmë pjesë e kësaj renditje është edhe Kosova e cila mban vendin e 190-të (66). Gjibraltari, që ishte pranuar në FIFA në të njëjtën ditë me Kosovën, nuk rezulton akoma në këtë renditje.

Në vendin e parë është përsëri Argjentina (1585) e cila ishte finaliste në Kupën e Amerikës të 100 vjetorit. Në vendin e dytë Belgjika (1401), në të tretin Kolumbia (1331) në vendin e katërt Gjermania (1319). Kili, edhe pse doli kampione në Kupën e Amerikës të 100 vjetorit rezulton e pesta (1316). Kampionja e Euro 2016, Portugalia, është e gjashta në renditje (1266). Franca nënkampione u rendit e shtata (1189). Në vendin e tetë Spanja (1165), në të nëntin Brazili (1156) dhe në vendin e dhjetë Ialia (1155).

Pas një paraqitjeje shumë të mirë në Euro 2016, Uellsi u rendit në vendin e 11-të (1137) duke u rritur me 15 vende (ishte në vendin e 26-të me 846 pikë). Edhe Islanda pas një paraqitjeje shumë të mirë në europian u rrit me 12 vende duke u ngjitur nga vendi i 34-rt (751) në vendin e 22-të (871). Me 12 vende u rrit edhe Kroacia që nga vendi i 27-të (842) arrin në vendin e 15-të (1022). Polonia rritet me 11 vende, ishte me pikë të barabarta me Kroacinë në vendin e 27-të (842) dhe tani është e 16-ta (1011) në renditje.