KRYEFAQJA » LAJME » Rëndohet situata në jug, Vjosa del nga shtrati
Rëndohet situata në jug, Vjosa del nga shtrati

Rëndohet situata në jug, Vjosa del nga shtrati

Alarmi nga përmbytjet ka zbritur nga veriu në jug të Shqipërisë. Të mërkurën në mbrëmje u njoftua për një rritje të prurjeve të lumit Vjosa dhe daljen e tij nga shtrati. Në zonën e Urës së Mifolit janë përmbytur disa hektarë tokë e po kështu rruga drejt Selenicës. Egziston frika për përmbytje edhe në zona të tjera të këtij pellgu ujëmbledhës deri në derdhjen e Vjosës në Adriatik. Autoritetet lokale dhe qëndrore u bënë thirrje banorëve të zonës të merrnin masa të shmangnin dëmet nga përmbytjet. “U bëj thirrje fermerëve dhe bizneseve që të largojnë fillimisht njerëzit dhe bagëtinë dhe pastaj mjetet e materialet që i kanë të magazinuara” tha ministri i bujqësisë Edmond Panariti. Vit pas viti kjo zonë po njeh përmbytje të mëdha. Një situatë e ngjashme u vu re në janar të këtij viti. Qeveria thotë se ka kryer investime të rëndësishme për të përballuar situatën, por duket se ato janë akoma të pamjaftueshme për shkak të ndërhyrjeve pa kriter gjatë viteve të tranzicionit.