KRYEFAQJA » LAJME » Reportazhe » “Në vendin e pendimit dhe përtëritjes së shpresës”

“Në vendin e pendimit dhe përtëritjes së shpresës”

Vetëm pak kilometra në veri të Fierit, gjendet një nga burgjet më të mëdhenj të vendit. I ndërtuar pak vjet më parë, që në fillim ai të krijon idenë e një ndërtese solide dhe të padepertueshme nga të gjitha anët.
Në hyrje, familjarë të ngarkuar me çanta me ushqime dhe tesha, presin të takojnë të afërmit e tyre që vuajnë dënimin.
Drejtuesit e burgut kanë dalë të na pesin. Kryejmë të gjitha procedurat e kontrollit, madje deri heqjen e këpucëve e rripin e pantallonave dhe më në fund kalojmë kufirin mes lirisë dhe burgosjes.
Në koridore shikon fytyra të zakonshme, që duket se i ndesh në jetën e përditshme. Por kur mëson për krimet që kanë kryer pamja e tyre dashur pa dashur nis të transformohet. Njerëzi që kanë kryer krime të rënda, nxirren të shoqëruar për takimet me familjarët e tyre. Ushqimet, teshat dhe çdo gjë kalojnë detyrimisht në aparaturën e kontrollit.
Një prej personazheve të parë që takojmë, është i riu Orion Rexhepi. E pyesim për vitet e tij të burgut. Ai ka një rrëfim prekës, me anë të të cilit, shpreson, ndoshta të adresojë një mesazh. “U bënë 3 vjet e 6 muaj që jam i mbyllur. Raporti me administratën në fakt është një raport dashuri – urrejtje! Edhe prindërit po të të mbyllnin në shtëpi, e njëjta situatë do të krijohej. Por ne mundohemi që me gardianët dhe me administratën në përgjithësi, të kemi mardhënie të mira. U them familjarëve të mi se i dua shumë! Do takohemi së shpejti dhe i bëfsha gjyshër!” thotë Orioni.
Ndahemi me të. Shoqëruesja jonë, Juliana, një prej punonjësve sociale të burgut, na tregon se në ambientet e brendshme ka edhe objekte kulti ku të dënuarit kryejnë ritualet e tyre të besimit. Kisha Ungjillore në këtë burg ofron mësime biblike prej kapelanit Paulin Pano. Ne afrohemi dhe pyesim tre të burgosur, të cilët mësojnë doktrinën e krishterë sipas Biblës.
– Unë jam Kastriot Prenga, dhe pyetjes suaj se si do të ishtë jeta ime pa biblën do ti përgjigjesha: Ashtu siç ka qënë që më solli këtu. Kur njeriu humb shpresën mandej përpiqet të mbështetet si unë që i jam rikthyer biblës, e mandej kupton se nuk je vetëm.
– Unë quhem Ermal Daja, Është e vështirë të gjesh paqe brenda një vend ku je i frustruar dhe ku lufta për mbijetesë është shumë më e madhe. Edhe ata që se kanë gjetur Zotin pendohen! Por ama mësimet që ne marrim këtu në kishë na bëjnë më të vetëdijshëm për mëkatin, dhe pendesa vjen e pranueshme.
– Jam Arif Serjani dhe vij në kultin fetar se ndiej një qetësi shpirtërore të momentit, edhe pse shpirti im nuk është kurrë i qetë. Zoti më faltë mëkatin dhe zoti i ndihmoftë të gjithë njerëzit edhe ata që gjenden këtu në këtë burg!
Kapelan Paulini tregon për aktivitetin e tij në këtë burg, për atë ndjenjë përdëllimi, që ai mundohet të ngjallë tek të burgosurit përmes Fjalës së Zotit.
-Njerëzit janë njerëz kudo, si jashtë edhe brenda. Për mua nuk ka ndonjë ndryshim mes këtyre njerëzve brenda dhe atyre që janë jashtë, janë si unë e si ti. Por që kanë bërë diçka në jetën e tyre sikundër ne bëjmë për ditë. Ajo që është interesante është se njeriu këtu ka më shumë kohë të reflektojë, ku mendon për ato që kanë ndodhur në jetën e tij, mendon për krijuesin e tij, e këtu janë më të hapur ndaj zotit këtu sesa në jetën reale ku janë në atë vrullin e jetës dhe në atë shpejtësinë e tyre që nuk kanë kohë të mendojnë. Për krijuesin, për zotin edhe për jetën, ç’qëllim ka pa këto gjithë jeta e tyre?-mbyll fjalën e tij Kapelan Paulin Pano.
Në të njëjtin koridor është edhe xhamia e burgut. Frekuentuesit nuk parapëlqejnë të filmohen, ndonëse ne arrijmë një konsensus me ta. Pasi u tregojmë qëllimin e emisionit tonë, biseda me besimtarët bëhet në respekt të ndërsjelltë. Hoxha pati vonesë. Erdhi dhe nisi në kohë fiks “Faljen e Xhumasë”, mandej me këndimin e hytbesë. Disa nga të burgosurit lexojnë suret e Kuranit të Shenjtë. Ndjenja e devocionit fetar dhe pendesës reflektohet në shkallë të ndryshme në tiparet e fytyrave të tyre.
Në burgun më të madh në vend, me një kapacitet prej 780 të dënuarish gjendet i dënuar dhe një shtetas rumun. Ai është punësuar në burg tek reparti i takimeve. Tregon se ka rënë në burg nga varfëria ekonomike. I shtrënguar nga varfëria në familje ai thotë, se u detyrua të bëjë kontrabandën e kanabisit. Ndodhi të arrestohet në kufirin shqiptar. Rrëfen me lot në sy për vështirësitë që kalon familja e tij.
-Quhem Dokica Petrojan dhe jam dënuar për drogë, hashash. Më kapën teksa po e trafikoja në Kakavijë. Këtu në burgun e Fierit jam i punësuar tek reparti i takimeve dhe ndjehem paksa i lehtësuar edhe pse jashtë nusja ime, vajza 15 vjeçare dhe e gjithë familja kalojnë një jetë në kushte të vështira. Ambasada e Rumanisë këtu në Shqipëri nuk më ka ardhur në ndihmë për asnjë gjë. Unë e di që kam shkelur ligjin, por e kam kryer për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Dua të dal sa më shpejt, të gjej një punë e të bashkohem me familjen time që jeton aktualisht në Greqi.
Në burgun e Fierit ndodhet edhe një bibliotekë me një fond modest librash.
-Ne kemi rreth 70 përqind të të burgosurve të cilët janë të interesuar të lexojnë libra, thotë Arjet Hasanaj, përgjegjës i bibliotekës. Shumë prej tyre krijojnë poezi interesante, shkruajnë tregime dhe prozë. Tituj të shumtë gjenden në këtë biblioteke, “Lufta dhe Paqja” e Leon Tolstoit, “Muri” i Zhan Pol Sartrit, revista të ndryshme letrare, periodikë kulturorë e deri tek tekstet e gjeografisë, historisë, të cilat të tënuarit i marrin me kartelat e tyre personale. Në bëjmë një thirrje duke shfrytëzuar Radio Telelevizionin Shqiptar, për institucionet apo edhe njerëz të ndryshëm që të na dërgojnë sa më shumë libra, sepse mendojmë se leximi këtu brenda do të reflektohet si një jetë tjetër kur ata do të dalin jashtë, thotë Hasanaj.
Burgu nuk është i lehtë. Ka persona që vuajnë privimin e lirisë gjithë jetën. Brenda mureve, kjo godinë e fortifikuar, ruhet nga një numër i madh trupash të specializuara. Ecim nëpër koridore. Roja na hap dyert për të na shoqëruar në sektorët ku kemi interes të shikojmë.
Kuzhina është zemra e këtij qyteti të dënuarish. Aty ka shumë të burgosur të punësuar. Kushtet këtu duken ideale. Si në shtëpi. Pastërtia dhe mënyra e gatimit tregon se të dënuarit ushqehen normalisht.
-Ne gatuajmë me menu, thotë kryeguzhineria Zenepe Zeka. Sot u bëra lakër me karrota, nesër presh, pasnesër patate furre me kofsha pule. Gatuajmë me mish çdo gjellë dhe siç e shikoni edhe vetë kuzhina është e pastër dhe me pajisje moderne. Kemi edhe menu për diabetikët të cilët janë rredh 20 persona. Gatimi për ta bëhet veç. Asnjë ditë nuk gatuhet ushqim i njëjtë- thotë Zenepja.
Krah saj është i dënuari Artur Velo.
-Unë jam dënuar përfundimisht me 11 vite burg. U bënë disa kohë që jam i punësuar në kuzhinën e burgut. Këtu kushtet janë shumë të mira. Unë jam ndihmësi i kryekuzhinieres. Nëse një ditë ajo është sëmurë apo ka ndonjë problem familjar jam unë kryekuzhinier që do të gatuaj për 780 të dënuar, jam zëvëndësuesi i saj. Ushqimi këtu është perfekt. Unë kam qenë edhe në burgun 302 edhe në 313, por këtu në burgun e Fierit ka një ndryshim të jashtëzakonshëm- thotë rturi për RTSH.
Por të shumtë janë ata të dënuar të cilët nuk e pranojnë ushqimin e burgut dhe gatuajnë në dhomat e tyre. Në fakt duket paradoks. Ai thellohet më shumë kur shikon edhe veshjet e të dënuarëve. Atlete dhe veshje të markave më të shtrenjta. Qëndrimi brenda këtij institucioni të krijon një ndjenjë të çuditshme ankthi. Duket sikur labirinthet dhe koridoret gri të këtij burgu të madh të tërheqin në rrugë pa kthim.
Burgu i Fierit ka edhe spitalin e tij. Ambientet e tij janë moderne. Ndjehet higjena. Kjanda Elpenoria është një vajzë e re, e cila flet për aktivitetin dhe punën e spitalit të burgut.
– Qendra jonë shëndetësore këtu funksionon si një poliklinikë lagjeje. Pacientët vijnë këtu paraqiten me ankesat, çfarë janë diagnoza që mund të mjekohen këtu marin mjekim të menjëhershëm, ndërsa rastet që kanë nevojë për një konsultë më të specifikuar dërgohen në Spitalin Rajonal të Fierit. Përgjithësisht janë në trajtim pacientët që vuajnë prej sëmundjeve kronike. sëmundjet e zemrës, veshkave, diabetitikët, janë nën terapi nga skema e rimbursimit. Njësoj si personat e lirë edhe të dënuarit tanë janë të pajisur me karta shëndeti dhe për patologjitë që kanë marrin mjekimet përkatëse.
Edukatorja psikologe, Juliana Nebiaj, e cila na ka shoqëruar gjatë gjithë kohës në sektorët e burgut, vazhdon të na tregojë për punën e saj dhe të stafit në trajtimin psiqik të të dënuarëve.
-Krijojmë dhe zhvillojmë disa tema sociale. I mbledhim të dënuarit në grupe, punojmë edhe me këshillime individuale dhe këshillime në grup. Në përgjithësi gjendja emocionale e të dënuarëve është e qëndrueshme. Ka raste kur kjo gjendje rëndohet, por për këtë qëllim jemi ne këtu- thotë Juliana.
Dalim nga thellësitë e këtij burgu hijerëndë. Provojmë një ndjenjë fizike lehtësimi. Ajri sikur thithet më lirisht me mushkëri të plota. Qindra të dënuar na përshëndesin. Ndjejmë një barrë vështrimesh që na ndjekin pas. Vështrime të përziera: të gardianeve që na përcjellin majë mureve të fortifikuara dhe të të dënuarve, që ndjejnë pezmin e kufizimit të lirisë.
I fundit që intervistuam ishte Drejtori i burgut, z. Genci Fejzollari. Gjykuar nga vitet e punës, një ekspert me përvojë të madhe në këtë profil, ai ka disa projekte, të cilat mendon se do të ndikojnë pozitivisht në lehtësimin e jetës së të dënuarëve.
– Kemi disa projekte, si përshembull hapjen e një revistë të përmuajshme me pak faqe. Në këtë revistë kemi dëshirë të pasqyrojmë jetën dhe aktivitetin e përditshëm në burg, pjesë nga rregulloret dhe ligjet e ndryshme ku personat të cilët vuajnë dënimin në këtë institucion , të marin një informacion mbi të drejtat që atyre u jep ligji dhe për detyrimet që ata kanë ndaj shtetit dhe institucionit tonë. Të tjera projekte janë aktivitetet e ndryshme, si përshembull nxitja e krijimtarisë dhe nxjerrja në ankand e veprave artizanale të punuara nga të dënuarit. Ne kemi një marrëveshje meFederatën Shqiptare të Futbollit të cilën do ta finalizojmë këtë verë. Kemi një hapsirë të madhe në mes të sektorëve dhe kemi menduar të bëjmë dy fusha futbolli me përmasa të fushave të vërteta. Kjo do të ishte një ide e mirë që ankthi, emocioni dhe stresi i të dënuarëve të dalë përmes lojës- spjegon Genci Fejzollari.
Largohemi nga ky burg, ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri, me një imazh të përkundërt nga përfytyrimi tradicional mbi burgjet. Përkujdesjet dhe investimet e shumta, donacionet dhe vëzhguesit e të drejtave të njeriut, ligjet dhe trajtimet humane, na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me burgje të një tjetër epoke. Por gjithësesi, sërish ai mbetet burg, kufizim lirie. I asaj lirie që shumë njerëz e patën dhe nuk ia ditën çmimin e vërtetë. E megjithatë në këtë vend ndjen praninë e Zotit, në të gjitha format e pendimit dhe përtërirjes së shpresës.